Ministria e Jashtme e Rusisë tha sot ( e mërkurë) se sulmi ndaj anëtarëve të Hezbollahut në Liban duke përdorur pejgjera shpërthyes kishte për qëllim të provokonte një luftë të madhe në Lindjen e Mesme, shkruan Politico, transmeton informim.net.
Pajgerët shpërthyen njëkohësisht të martën në Liban duke vrarë të paktën nëntë persona dhe duke plagosur afro 3,000, sipas autoriteteve libaneze, përfshirë të dërguarin e Iranit në Bejrut. Hezbollahu, grupi militant dhe partia politike libaneze, akuzojnë Izraelin si përgjegjës.
“Ne e konsiderojmë atë që ndodhi si një akt tjetër të luftës hibride kundër Libanit, e cila ka dëmtuar mijëra njerëz të pafajshëm. Duket se organizatorët e këtij sulmi të teknologjisë së lartë kërkuan qëllimisht të nxisin një konfrontim të armatosur në shkallë të gjerë për të provokuar një luftë të madhe në Lindjen e Mesme”, shkroi në një deklaratë Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.
Po sot, kompania prodhuese e pagerëve, Gold Apollo e Tajvanit, tha se pejgjerët në shpërthim ishin prodhuar në të vërtetë në Hungari. Moska thotë se specialistët rusë do të hetojnë shkaqet e incidentit për t’u mbrojtur nga sulme të ngjashme.
“Duhet të kryhet një hetim absolutisht i plotë i këtij incidenti. Shkaqet e incidentit, rrethanat duhet të vërtetohen”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov gjatë një konference për shtyp.
“Pas kësaj, natyrisht, kjo duhet të bëhet objekt studimi nga specialistët për të marrë masa për të eliminuar rreziqe të tilla në vendin tonë dhe në vende të tjera”, shtoi ai.