Nga: Femi Cakolli
Për këtë temë publike tashmë kam bërë edhe disa shkrime e prononcime të tjera dhe dua të vazhdoj tutje.
Besoj që do të mbërrijmë një ditë te debati dhe dialogu shkencor, historik e kulturor dhe jo vetëm shfryrje polemiste dhe iratike siç po dëgjojmë këta muaj dhe parashoh se do të ketë përkeqësime nga anë të ndryshme në vijim, dhe dhuna do imponohet.
Tezën dhe kërkesën e konvertimit ose kthimit apo zgjedhjes së besimit apo fesë e përkrah 100% nga cilado anë që ndodh.
Tezën ose idenë se një fe të ban ma shqiptar se tjetra nuk e përkrah as 1%.
Nuk përkrah asnjë shqiptar që sulmon islamin si besim të tjerëve në këtë rast të vëllezërve tanë. Jetojmë në demokraci: ti leje islamin si zgjedhje por mos sulmo islamin as myslimanët. Vepro me mend e dashni, dhe bëhu i krishterë i mirë. Të krishterë të hajrit i duhen Kosovës dhe botës e jo me prirje përjashtimi.
Nuk përkrah njerëzit që thonë jemi pagëzue dhe pastaj disa prej tyre thonë ne jemi agnostikë se e kemi ba për shqiptari.
Tezën dhe idenë se me konvertimet në krishterim po e përçajnë popullin është e rreme pasi kjo nuk po bëhet përshkak se dikujt po i dhimbset uniteti i popullit por pse mund të bëhen shumë të krishterë hapur e hapur. Po para 350 vitesh kur ende ishim me shumicë krishtere pse këtë nuk e shihni disa prej jush përçarje kombëtare ndërsa rritej islami. Aha, atëherë ishte diçka tjetër!?
Nuk përkrah pompozitetet se kush çka beson a zgjedh të besojë.
Përkrah fuqishëm që secili qytetar të dëgjojë ungjillin dhe të besojë Krishtin dhe krejt Kosova u kthehet në të krishterë ama nëse nuk kthehet edhe asnjë prapë duhet të jemi me dinjitet dhe nuk duhet ndërruar sjellja e dashnia qoftë edhe për një shqiptar mysliman ose edhe nëse bëhen 99,9999999% myslimanë.
Përçarjen në fakt në popullin tonë e ka sjellë komuniteti islam i Kosovës sidomos pas vitit 1999. Sa hoxhollarë janë rrahë nga grupe tjera islame!? Sa xhami janë ndërtuar pa leje edhe kundër vullnetit të myslimsnëve? Sa femra tona janë sharë e etiketue prej islamcave?! Sa përçarje është bërë nëpër familje e institucione për shkak të vehabizmit? Sa kërcënime janë dëgjue nga hoxhollarë tjerë të vehabizuar??? Cila figurë kombëtare nuk është përdhosë prej tyre? Kush ka thënë: kush nuk i do xhamiat le të shkojë në Beograd!!?? Nga ana tjetër unë përkrah shumë imamë të tjerë që janë shembullorë e të urtë e guximtarë kundër imponimit dhe dhunës islame.
Nuk e përkrahu kurrë pse publiku i Kosovës ende nuk ka dëgjue ndonjë ndjesë publike të ndonjë imami ose BIK-ut për shumë ofendime, kërcënime, sulme që janë bërë kahdo. E sulmi ma i madh i dëgjuem është se dikush lirshëm ka shpreh që Kosova të jetë shtet islamik me sheriat edhe të punojë për këtë pa u pengue.
Përkrah debatin e dialogun por mikrofoni e hapësira nuk duhet krijuar për secilin.
Habitem me disa polemistë me bindje kombëtariste që u kërkojnë disa klerikëve ose islamistësh që ta kenë shqiptarinë në rend të parë! Për dy arsye habitem!
E para disa prej këtyre klerikëve duket se fare nuk janë shqiptarë por me prejardhje tjera edhe pse flasin shqip. E qysh të tillët ta kenë shqiptarinë në rend të parë?! Ne kemi pa nënçmime ofendime prej këtyre klerikëve. Edhe ata që i ka shpërla krejtësisht riindoktrinimi islam nga ndjenjat kombëtare ske çka kërkon ma prej tyre. Lutu, po!
E dyta, përkatësia fetare në shoqërinë demokratike për qytetarët nuk është identiteti primar e politik por është nënidentitet dhe nënkulturë e një trupi të madh siç jemi në këtë rast ne të gjithë shqiptarët.
Frikën askush mos ta mbajë kot me vete sepse njerëzit një ditë, herët a vonë, kanë me ardhë te Mbreti i mbretërve: Jezus Krishti!
Këtë askush nuk mund ta ndalë.
Autori është Pastor i Kishës Protestante “Bashkësia Ungjillore e Mesisë”.Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës “Informim.net”.