Patriarku i rus, Kirill i dërgoi një letër Patriarkut serb Porfirie, në të cilën dezinformon për shfaqjen artistike në Ulpianë, e cila nuk kishte asnjë rëndësi fetare dhe nuk ishte e drejtuar kundër asnjë feje në Kosovë
“Me hidhërim të thellë mësova për aksionin blasfem të kryer së fundi nga shqiptarët e Kosovës në rrënojat e Ulpianës së lashtë. Kompozimi i tre kryqeve, që të kujtojnë ngjarjet nga historia e shenjtë në Golgota, u dogj publikisht në një festival lokal në një performancë te lirë”.
Analiza:
Festivali në Ulpianë nuk kishte për qëllim përdhosjen e kryqeve dhe as nuk kishte konotacion fetar. Djegia e kryqeve në këtë kontekst ishte pjesë e një shfaqjeje artistike, e cila nuk kishte asnjë rëndësi fetare dhe nuk ishte e drejtuar kundër ndonjë feje
Kirill e përshkroi djegien e kryqeve si “sulm të vetëdijshëm dhe të planifikuar ndaj simboleve të krishtera dhe ortodoksisë në Kosovë”.
Megjithatë, organizatorët e festivalit shpjeguan se ishte një shfaqje artistike kushtuar shenjtorëve Florus dhe Lavrës, martirë të hershëm të krishterë dhe se nuk kishte të bënte me ndonjë sulm ndaj besimit apo simboleve të krishterë. Sipas tyre, shfaqja u konceptua si një akt që ndriçon temat universale të sakrificës dhe besimit, dhe jo përdhosjen fetare.
Krahasimi i performancës nga Kirill me “përpjekjet për të dekristianizuar tokën serbe” synon të krijojë një imazh të Kosovës si një vend ku komuniteti ortodoks serb sulmohet sistematikisht. Megjithatë, autoritetet kosovare dhe organizatorët e festivalit e kanë bërë të qartë se kjo ngjarje nuk ka pasur prapavijë politike apo etnike.
Gjithashtu, Kirill ka akuzuar shqiptarët e Kosovës për përdhosje të simboleve të krishtera, por ka injoruar faktin se në mesin e shqiptarëve të Kosovës ka një numër të madh katolikësh, të cilët e respektojnë edhe kryqin si simbol fetar. Vetë aktiviteti u ndoq nga katolikët shqiptarë, të cilëve performanca nuk iu duk fyese./The Geopost/