Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte i ftuar në programin e regjimit në TV Pink. Fillimisht ai foli per udhëtimin për në Bruksel që e pret sot. Më pas Vuçiq pa fije turpi u mundua ta arsyetojë lidhjen e tij me Kinën e Rusinë, pavarëisht kërkesave dhe kritikave nga Bashkimi Evropian.
“Do të jetë një takim shumë i rëndësishëm kryesisht për ritmet e rritjes dhe tregun. Sigurisht që do të diskutohen disa probleme si dhe zgjerimi i Bashkimit Evropian. Besoj se do të jetë një bisedë e drejtë, e cila varet shumë nga Prishtina, por edhe nga Sarajeva”, tha ai.
Vuçiq më pas në televizionin që e dirigjon vet, pretendoi se Prishtina refuzoi dialogun.
“Ata kurrë nuk e deshën atë dhe gjithmonë përpiqeshin të fajësonin Beogradin për gjithçka. Kemi të bëjmë me njerëz, qëllimi i të cilëve është dëbimi dhe shkatërrimi i popullit serb në rajonin e Kosovës. Ata nuk duan dialog, sepse thonë se janë shtet sovran. Nuk mendoj se atje na presin ditë më të mira, atje do të kemi probleme të panumërta, por Serbia do të jetë gjithmonë me njerëzit e saj në Kosovë”, tha ai.
Nuk mjaftoi veç kjo. Presidenti serb pa dhënë asnjë argument, mbrojti Kinën dhe Rusinë, pavarësisht shumë kritikave për mosvendosje të sanksioneve ndaj vendit që po kryen terror mbi Ukrainën.
“Diçka tjetër më ra në vesh, dhe kjo është fjalia në të cilën ai habitet që më shumë njerëz nuk më pyesin pse u takova me Xi Jinping dhe të tjerët. Ne jemi një vend i lirë dhe nuk kam nevojë për lejen e askujt. Unë nuk kam vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe nuk vendos, sepse mendoj se është mirë për Serbinë, jam takuar me Xi Jinping, sepse mendoj se është mirë për vendin tonë”, tha Vuçiq.