Ish-kryetari i Leposaviqit mohon se ka ndikuar në punësimin e të akuzuarve tjerë

by Nexhat

Në gjykimin për korrupsion e krim të organizuar ndaj ish-kryetarit të Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq dhe të akuzuarve tjerë, i pandehuri Jabllanoviq gjatë marrjës në pyetje në seancën e së premtes, deklaroi se nuk ka pasur ndikim në punësimin e të akuzuarve të tjerë.

Në aktakuzë thuhet se Jabllanoviq i ka punësuar të pandehurit Aleksandar Kostiq, Aleksandar Ackoviq, Çedomir Timotijeviq, Miroslav Ivanoviq, Boban Milovanoviq dhe Ivan Kadiq.

banner

Në këtë rast, aktakuza ngarkon Jabllanoviqin për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, po akuzohen për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Jabllanoviq deklaroi se përveç të akuzuarit Mirosllav Ivanoviq, asnjërin nga të akuzuarit tjerë nuk e ka njohur dhe nuk ka fare të bëjë me punësimin e tyre.

“Me përjashtim te Mirosllav Ivanoviq që ka qenë njëri ndër drejtorët në Trepçë, të cilin unë e kam emëru si zëvendës sipas autorizimeve ligjore, njerëzit e tjerë as që i kam njohur sepse askush nga këta nuk ka punuar në Komunën e Leposaviq sipas sistemit serb që unë t’i njihja, pasiqë asnjë puntorë që ka punu sipas sistemit të Kosovës nuk ka pasur kurrfarë kontratë pune dmth kanë punuar vetëm sipas fjaleve jo me kontratë”, tha i akuzuari Jabllanoviq

Ai deklaroi se pasi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të komunës kishte filluar siç e cilëson ai “gjuetia” ndaj tij nga ana e personave të Listës Serbe të cilët, sipas tij, kishin dërguar gjashtë persona për të ndërruar bravat e dyerve duke ia pamundësuar hyrjen brenda në zyre.

Jabllanoviq shtoi se për komunat e veriut ka pasur një xhirollogari të veçantë për t’u mos perzier me komunat tjera.

Poashtu, në pyetjen se pse në asnjë kontratë apo vendim të të akuzuarit si kryetar komune nuk ekzistojnë as logo as vula të komunës, i akuzuari tha se kjo ka qenë marëveshje mes Listës Serbe, kryetarëve të katër komunave dhe kryeministrit të Kosovës dhe e njejta marrëveshje ka qenë e vendosur në statut të komunës dhe për të cilën nuk ka pasur mundësi të bëjë asnjë ndryshim.

Ndërkaq, në pyetjen e prokurorisë se a ka pasur njohuri për afërsinë që sipas prokurorisë i akuzuari Haxhi Bejta kishte pasur me fituesin e tenderit “Furnizimi me material ndërtimor” ai tha se nuk e njeh fare as Haxhi Bejtën e as të afërmit apo miqtë e tij.

Mbrojtësi i të akuzuarit Jabllanoviq, avokati Ramë Gashi pati kundërshtime gjatë tërë seancës në lidhje me parashtrimin e pyetjeve nga ana e prokurores së rastit, Merita Binaj-Rugova

Sipas tij, parashtrimi i pyetjeve nuk ishte i duhuri dhe se prokurorja në vazhdimësi po bënte pytje ‘të konsumuara’ për të cilat i mbrojturi i tij, Jabllanoviq është përgjigjur edhe më herët.

“Kundërshtoj për mënyren e marrjes në pyetje, kjo është përlamje, atëherë unë po tërhekem prej mbrojtjes dhe vazhdoni ju. Çfarë marrje në pyetje është kjo, ku mundet me marrë në pyetje kjo kështu”, tha Gashi.

Në anën tjetër, prokurorja Binaj-Rugova theksoi se mbrojtësi Gashi, duke shfrytëzuar kundërshtimin po e udhëzon të akuzuarin se si të përgjigjet.

“Kërkoj nga trupi gjykues që ta bëjë vërejtjen mbrojtësit të të akuzuarit Jabllanoviq i cili vazhdimisht e udhëzon të akuzuarin se si me u përgjigj kinse duke bërë kundërshtime”, deklaroi prokurorja Binaj-Rugova.

Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe J.B, mirëpo më 16 tetor 2023, gjykata ka pushuar procedurën penale ndaj saj pasi që e njëjta ka ndërruar jetë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të ngritur më 13 shtator 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.

Të pandehurit në këtë rast, akuzohen se e kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”.

Vepra penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, paragrafi 1 të KPRK-së dënohet me gjobë deri në 250 mijë euro dhe me burgim prej së paku shtatë vjet, ndërsa sipas paragrafit 2 të këtij neni, kjo vepër dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim prej së paku 10 vjet.

Kurse, vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, kurse vepra penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

banner

Të ngjajshme

Ne jemi informim.net, një portal lajmesh që kemi një qëllim të qartë dhe premtim për të qenë portal lajmesh më i shpejtë në Kosovë dhe në rajon.
Ne kemi një staf të përkushtuar gazetarësh dhe redaktorësh që punojnë vazhdimisht për të sjellë lajme aktuale dhe të besueshme për lexuesit tanë. Ne ofrojmë lajme nga Kosova dhe më gjerë, duke i kushtuar rëndësi çështjeve që ndikojnë në jetën e përditshme të njerëzve. Gjithashtu, ne kemi një fokus të veçantë në kulturë, art, dhe inovacione teknologjike.

Edtior's Picks

Latest Articles

All Right Reserved 2023

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy