Qysh prej sulmit të Banjskës, liderët e Kosovës s’kanë rreshtur se paralajmëruari për rrezikun që i kanoset vendit për ndonjë sulm tjetër të mundshëm nga Serbia. Megjithatë një gjë të tillë nuk e sheh në horizont, ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea.
Në një deklaratë për emisionin “Expose” të Radios Evropa e Lirë, Shea madje ka thënë se s’është në rregull të flitet për kërcënime ushtarake dhe se duhet një kthim në tryezën e dialogut për normalizim të raporteve.
Ai ka thënë se nuk sheh ndonjë tension të veçantë në kufi dhe se Serbia s’ka bërë ndonjë rritje trupash në kufi, ndërkohë që KFOR-i ka shtuar trupat në atë pjesë.
Shea thotë se duhet ndaluar së foluri për kërcënime dhe se duhet kthim në negociata.
“Mendoj se nuk është në rregull të flitet për kërcënime ushtarake. Nuk shoh ndonjë tension të veçantë në kufi. Serbia s’i ka shtuar trupat e saj në kufi. KFOR-i e ka rritur poashtu praninë në Veri pas sulmit në Banjskë. Pra marrëveshjet e sigurisë janë të qarta. Unë mendoj se duhet të ndalojmë së foluri për kërcënime dhe të kthehemi në tryezën e bisedimeve”, ka thënë Shea.