Juristët kanë vlerësuar durimin e Qeverisë në lidhje me hapjen e Urës së Ibrit, derisa ata se e shohin si progres shtrimin e sovranitetit në veri të vendit. Por sipas tyre mbetet problemi stagnimi në aspektin e diplomacisë për çështjen e veriut pas Rastit Banjska.
Juristi Bardhyl Hasanpapaj në RTV Dukagjini theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes Kosovës dhe aleatëve ndërkombëtarë, duke theksuar se hapja e urës mbi lumin Ibër nuk duhet të bëhet pa koordinim me ta. Sipas Hasanpapajt, përkundër përpjekjeve të Kosovës për të stabilizuar situatën në veri pas sulmit në Banjskë, masat e marra njëanshëm kanë përkeqësuar marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, duke bërë që sanksionet të mbeten ende në fuqi
“Fatkeqësisht, Kosova ende mbetet nën sanksione të BE-së. Serbia mori agresionin, dhe gjithë bota demokratike priste pasoja, por kjo nuk ndodhi. Ndërsa ne vazhdojmë të mbetemi nën masa, Serbia nuk pati ndonjë ndëshkim të menjëhershëm,” deklaroi Hasanpapaj, duke shtuar se Kosova ka bërë progres të rëndësishëm në terren, por tani është koha të rifillojë një komunikim më të afërt me aleatët.
Juristi theksoi se, pavarësisht përmirësimit të gjendjes në veri dhe vendosjes së autoritetit të Kosovës në atë zonë, situata diplomatikisht ka ngecur. Sipas tij, tani që është bërë progres substancial në terren, është koha për të bërë përparim edhe në diplomaci. “Kosova ka nevojë t’i kthehet një progresi tjetër në diplomaci. Shenjat e para të këtij progresi janë shfaqur në Procesin e Berlinit, ku pati disa sinjale pozitive,” vlerësoi Hasanpapaj