Pronari i kompanisë fiktive bullgare “Norta Global”, që dyshohet se është përgjegjës për shitjen e radiomarrësve që shpërthyen në të gjithë Libanin, u zhduk në ditën e shpërthimit dhe që atëherë është në kërkim.
Sipërmarrësi Rinson Jose (39 vjeç), i cili jeton në Norvegji dhe është me origjinë nga India, renditet si pronar i “Norta Global”.
Të martën, Jose duhej të linte apartamentin e tij në periferi të Oslos dhe të shkonte në një udhëtim pune të planifikuar më parë, por punëdhënësi i tij kryesor, konglomerati norvegjez i medias NHST Media Group, nuk ishte në gjendje ta kontaktonte dhe të mërkurën në mbrëmje informoi shërbimin e inteligjencës norvegjeze për zhdukjen e tij.
Një ditë më pas, policia lokale njoftoi se kishte nisur një “hetim paraprak për informacionin që ka dalë në dritë”. “Ne jemi në dijeni të informacionit, por nuk kemi asnjë koment për të”, tha Unni Grøndal, një zëdhënëse e policisë norvegjeze në Oslo, siç citon A2.
Nuk ka asnjë provë për momentin që të sugjerojë se Jose e ndihmoi qëllimisht Izraelin të ndërhynte te radiomarrësit për të bombarduar anëtarët e Hezbollahut ose se ai ishte në dijeni për operacionin e Tel Avivit.
Jose u transferua në Norvegji në vitin 2015 pas dy vitesh punë për një kompani londineze. Ai jeton në Oslo me gruan e tij dhe ka nënshtetësi norvegjeze, ndërsa fqinjët e tij në një periferi të qetë të kryeqytetit norvegjez i thanë Reuters se nuk dinin shumë për të.
Megjithatë, një nga miqtë e tij i tha uebsajtit norvegjez të lajmeve ‘VG’ se ajo u trondit kur mësoi se emri i tij lidhej me shpërthimet në Liban.
“I gjithë rrethi im i miqve e pëlqente atë. Ai i ruajti flokët e tij për vite me radhë që t’ua dhuronte pacientëve me kancer. Për mua, ai është një burrë me zemër të madhe”, tha ajo.
Sa i përket “Norta Global”, kompania u themelua në prill 2022. Selia e kompanisë është e regjistruar në një ndërtesë në qytetin e Sofjes ku janë të regjistruara gati 200 kompani të tjera. Kompania reklamonte shërbime këshillimi, integrimi të teknologjisë, rekrutimin dhe kontraktimin në faqen e saj zyrtare përpara se të fshihej të enjten.
“A jeni duke kërkuar për një kompani të aftë për t’ju ndihmuar të keni sukses apo për të gjetur zgjidhjen e duhur teknologjike për ju? ‘Mos kërkoni më tej’”, lexohej në faqen e internetit, e cila kishte versione në anglisht, bullgarisht dhe norvegjisht.
Reuters shkruan se ka kontaktuar me Jose, por ai i ka dhënë fund telefonatës kur është pyetur për biznesin në Bullgari. Më herët uebsajti hungarez Telex pretendoi se ‘Norta Global’ ishte e përfshirë drejtpërdrejt në prokurimin e radiomarrësve, duke pretenduar se kompania “organizoi dërgesën dhe ia shiti pajisjet Hezbollahut”.
Por më pas Agjencia Shtetërore Bullgare për Sigurinë Kombëtare njoftoi se kompania bullgare nuk kishte lidhje me blerjen e radiomarrësve që shpërthyen.