Pas pothuajse gjysmë shekulli hetimesh vjen pika e kthesës në një vrasje të dyfishtë që tronditi qytetin australian të Melburnit në 1977. Autori i dyshuar u arrestua në Romë, në anën tjetër të botës.
Bëhet fjalë për një 65-vjeçar greko-australian i akuzuar se vrau dy shoqet e reja duke i goditur me dhjetëra plagë me thikë.
Ai u ndalua nga policia mbrëmjen e së enjtes në aeroportin Fiumicino ku kishte zbritur me një fluturim nga Greqia për pushime në qytetin e përjetshëm. Ndërkohë, prej shtate vjetësh ishte në kërkim ndërkombëtar.
27-vjeçarja Suzanne Armstrong dhe 28-vjeçarja Susan Bartlett u gjetën të vdekura në janar 1977 në banesën që ata ndanin në periferi të Melburnit. Ata ishin në një pellg gjaku. Në trupat e tyre janë shenjat e dhjetëra plagëve me thikë.
“Australia tani do të fillojë procedurat e ekstradimit për të dyshuarin, një shtetas greko-australian i cili jetonte në Greqi ku ai mbrohej me parashkrim,” tha në një konferencë për shtyp shefi i policisë së shtetit australian të Victoria, Shane Patton.
Patton e përshkroi këtë ‘rast të ftohtë’ si më të gjatë dhe më të rëndë në shtetin australian.
Në vitin 2017, policia ofroi gjithashtu një shpërblim prej një milion dollarësh australianë (680 mijë dollarë amerikanë) për informacionin që çon në arrestimin e personit përgjegjës për vrasjen e dyfishtë të përshkruar nga shefi i policisë si “absolutisht i tmerrshëm dhe frenetik”./Informim.net