Drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, Naser Gega, ka thënë se nxënësja e klasës së dymbëdhjetë në gjimnazin ‘Bedri Pejani’, A.D., e cila ka vendosur që të mbulohet, nuk është përjashtuar nga shkolla, por është pezulluar nga procesi mësimor derisa ta largojë shaminë.
Në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net, Gega tha se nuk ka pranuar asnjë ankesë lidhur me rastin në fjalë, ndërkohë që theksoi se në këtë rast vetëm është zbatuar udhëzimi administrativ.
“Jam në dijeni të asaj që drejtori i shkollës, ajo vajza e ka kry klasën e dhjetë dhe të njëmbëdhjetë e ka kry në gjimnaz normalisht, në klasën e dymbëdhjetë e ka vendosë shaminë. Drejtori i shkollës e ka pezullu përkohësisht nga procesi mësimor derisa ta hek shaminë. Në momentin që e hek, ajo i kthehet mësimit të rregullt. Ankesë nuk kam as prej shkollës, as prej palës deri më sot“, tha ai.
Sipas tij, shkolla dhe DKA-ja janë zbatues të ligjeve dhe udhëzimit në fuqi.
“Udhëzimi administrativ neni 1.13 nuk lejon veshjet fetare nxënësit në shkollë dhe në situatën në të cilën ndodhemi është zgjedhje ma e mirë, sepse edhe shkolla edhe gjimnazi në këtë rast edhe DKA-ja, ne në këtë rast, nuk jemi hartues të ligjeve, ne jemi zbatues të ligjeve dhe udhëzimit dhe në këtë rast mendoj që më së miri një deklarim i Ministrisë së Arsimit, na jemi zbatues ndaj tyre dhe i kishim dhanë zgjedhje kësaj çështje“, tha Gega.
Gega njoftoi se me fillimin e vitit të ri shkollor, nuk është raportuar asnjë rast tjetër i njëjtë dhe rasti i nxënëses A.D., deri tani mbetet i vetmi për sivjet.
“Është rasti i vetëm. Për javën e parë e kemi bisedu, në javën e dytë maturantat kanë qenë në ekskursion“, tha drejtori i Arsimit në Pejë.
Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se rasti po trajtohet për të parë nëse ka elemente të veprës penale.
“Pasi kemi pranuar informatat përmes email-it zyrtar për rastin në fjalë, çështja i është ndarë një prokurorit të shtetit , i cili do ta trajtoj rastin se a ka elemente të veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, nga neni 190 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, për Gazetën Online Reporteri.net.
Ndryshe, nxënësja e klasës së dymbëdhjetë në gjimnazin ‘Bedri Pejani’ në Pejë, A.D., këtë vit të ri shkollor e ka nisur ndryshe, pasi siç u raportua sot, qysh ditën e parë të mësimit është larguar nga shkolla për shkak të vendimit të saj për të vendosur shaminë.
Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Paqe, Labinot Maliqi, në një konferencë për media sot tha se kjo u bë me vendim të drejtorit të shkollës, teksa kërkoi nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, që ta shfuqizojë udhëzimin administrativ që ndalon uniformën fetare në shkolla.
“Nxënësja 18-vjeçare A.D u largua me urdhër të drejtorit Musa Nikqi në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor. Parimi kryesor i cdo feje është arsimi. Shumë besimtar kanë kontribuar në arsimimin e gjeneratave të reja dhe nuk ka asnjë problem që hoxhollarët nuk mund ta zgjedhin. I bëjë thirrje ministres Nagavci që të shfuqizojë këtë udhëzim, në mënyrë që askush mos të ndihet i thyer. Nagavci të bëjë të mundur kthimin në shkollë të kësaj vajze e cila është shembullore edhe në sjellje edhe në mësime”, ka thënë mes tjerash ai.
Kurse një medium lokal në Pejë e ka publikuar letrën e nxënëses, e cila paraprakisht kishte njoftuar drejtorinë e shkollës, mësimdhënësit dhe stafin se ka marrë vendim që të bart shaminë dhe ka kërkuar që t’i lejohet mbarëvajtja e procesit mësimor në mënyrë të rregullt.
“Me të drejtën që më jepet mua si një nxënëse e kësaj shkolle, unë kërkoj që ju ta pranoni dhe ta respektoni vendimin tim dhe që unë të vazhdoj procesin mësimor në mënyrë të rregullt si çdo nxënës tjetër. Po ashtu dua ta theksoj se këtë vit të fundit shkollor do t’ia vazhdoj me përpikshmëri në sjellje dhe mësime”, kishte shkruar nxënësja në letrën e saj.
Ajo ka insistuar që veshja e uniformës fetare është e mbrojtur ligjërisht dhe sipas saj, në rast se i mohohet shkollimi për shkak të kësaj, do të ndërmerren veprime ligjore.
“Mënyra e veshjes është zgjedhje e lirë e secilit. Mënyra e veshjes mbrohet edhe me lirinë e shprehjes. Unë këtë vir mbush 18-vjeç dhe do të jem e vetëdijshme për vendimin që do marrë. Nuk dua të tingulloj arrogante apo kërcënuese por në rast që vendimi im mohohet dhe nuk respektohet nga ju atëherë vazhdojmë në mënyrë ligjore”, thuhet më tej në letrën e A.D., teksa bën thirrje që të mos diskriminohet.