Rasti i 400 kilogramëve kokainë fillon rishtazi gjykimi ndaj të akuzuarve

by Merita

Për shkak të ndërrimit të përbërjes së trupit gjykues, ka filluar rishtazi të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë gjykimi në rastin e 400 kilogramëve drogë.

Gjykatësi Ngadhnjim Arrni njoftoi se tash e tutje do jetë ai kryetar i trupit gjykues, pasi që gjykatësi Musa Konxheli është pensionuar. Po ashtu, njoftoi se për shkak që gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj është avancuar në Apel, në vend të saj është caktuar gjykatësi Rrahman Beqiri. Anëtar tjetër i trupit gjykues është gjykatësi Valon Kurtaj.

banner

Në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe katër të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, me pajtimin e palëve u konsiderua e lexuar akuza dhe se të akuzuarit Izet Sheqiri, Faton Vrajoll, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi u deklaruan të pafajshëm.

Ndërsa, pas kësaj prokurori special, Valdet Gashi tha se qëndron në tërësi pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin gjyqësor para trupit gjykues paraprak.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Izet Sheqiri, avokati Besnik Berisha me rastin e paraqitjes së fjalës hyrëse paralajmëroi se mund të mos jetë më mbrojtës i Sheqirit, teksa tha se ky i fundit nuk është kriminel.

“…ka mundësi që ky të jetë adresimi im i fundit për gjykatën në këtë rast. Izet Sheqiri nuk është kriminel, nuk është njeri që ia do të keqen askujt, e që i ka kontribu të keqes që atë e godit më së shumti”, tha avokati Berisha.

Ai tha se Sheqiri me bashkëpunëtorët e tij nuk ishin në dijeni të transportit të drogës dhe se vetëm kur nga punëtorët ishte shfaqur nevoja për ndërrim të një pajisje në kamion, ishin futur Policia dhe aty e kishin kuptuar se në kamion ekziston droga.

Berisha tha se nga i akuzuari Sheqiri ishte paguar që të bëhej inspektimi i kamionit dhe se një inspektim i tillë nuk ishte bërë. Sipas tij, droga e sjellë nga Brazili nuk ka lidhje me të akuzuarit.

Avokati tha se nga i akuzuari Sheqiri janë dhënë në përdorim të gjitha pajisjet dhe çdo dokument i kërkuar. Tha se i mbrojturi i tij ka pasur bashkëpunim me Prokurorinë.

Berisha tha se ishte bërë edhe kontrolli në detaje i të hyrave financiare nga ana e Prokurorisë, por se nga ai kontroll nuk ishte gjetur asnjë mangësi. Ai shtoi se kompania “MC FOOD” ka qenë dhe vazhdon të jetë tatimpagues i shtetit.

Avokati Berisha në fund kërkoi nga trupi gjykues që Sheqiri të lirohet nga masa e paraburgimit dhe e njëjta t’i zëvendësohet me ndonjë masë më të butë, duke garantuar se i njëjti do të respektojë në tërësi çdo kërkesë të gjykatës.

Kurse mbrojtësja e të akuzuarit Faton Vrajilli, avokatja Nora Grajçevci-Mehmeti tha se e mbështet fjalën hyrëse të avokatit Berisha dhe se do paraqesë kërkesë për zëvendësim të paraburgimit ndaj të mbrojturit të saj me masë më të butë të sigurisë.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Kadri Sheqiri, avokati Xhafer Maliqi tha se presin me padurim që të paraqesin argumentet që sipas tij dëshmojnë pafajësinë e të akuzuarit Sheqiri. Tha se mungojnë argumentet që mbështesin dyshimin e bazuar mirë.

Edhe mbrojtësja e të akuzuarit Kadri Brahimi, avokatja Dafina Osmani gjithashtu tha se e mbështesë fjalën hyrëse të avokatit Berisha, duke shtuar se është e bindur se gjatë procesit gjyqësor do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të saj.

Në fund, fjalën hyrëse për të akuzuarin Fehmi Bytyqi e dha avokati Ramë Dreshaj, duke shtuar se klienti i tij ka qenë vetëm vozitës i kamionit ku është gjetur droga dhe se nuk ka qenë në dijeni se çka ka brenda tij.

Më pas, trupi gjykues refuzoi propozimin e avokatëve Berisha dhe Grajçevci-Mehmeti që të akuzuarve Sheqiri dhe Vrajolli t’iu ndërpritet masa e paraburgimit. Por, thanë se në të ardhmen do të vlerësojnë nëse kanë pushuar shkaqet për ekzistimin e masës paraburgimit ndaj tyre.

Bashkë me pesë të akuzuarit, në këtë rast akuzoheshin edhe Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina, por pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë çështja penale ndaj tyre ishte veçuar.

Ndryshe, i akuzuari Hyzri Sheqiri pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, është dënuar me 7 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale. Kurse, i akuzuari Naim Morina pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie, është dënuar me 6 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale.

Në këtë shqyrtim gjyqësor kishte ndryshuar trupi gjykues, ku gjyqtari Arben Hoti është ndërruar me gjyqtarin Valon Kurtaj.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, ka raportuar ekskluzivisht për dosjen e Prokurorisë lidhur me këtë rast, ku akuzohet pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, si dhe Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.

Në këtë aktakuzë, Prokuroria ka propozuar të konfiskohen 400 kilogramë kokainë, makina, armë e rreth 26 mijë eurove.

banner

Të ngjajshme

Ne jemi informim.net, një portal lajmesh që kemi një qëllim të qartë dhe premtim për të qenë portal lajmesh më i shpejtë në Kosovë dhe në rajon.
Ne kemi një staf të përkushtuar gazetarësh dhe redaktorësh që punojnë vazhdimisht për të sjellë lajme aktuale dhe të besueshme për lexuesit tanë. Ne ofrojmë lajme nga Kosova dhe më gjerë, duke i kushtuar rëndësi çështjeve që ndikojnë në jetën e përditshme të njerëzve. Gjithashtu, ne kemi një fokus të veçantë në kulturë, art, dhe inovacione teknologjike.

Edtior's Picks

Latest Articles

All Right Reserved 2023

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy