Të paktën 492 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ajrore intensive të Izraelit, që shënjestronin Hezbollahun në Liban. Ministria e Shëndetësisë së Libanit e ka konsideruar si dita më vdekjeprurëse e konfliktit në pothuajse 20 vjet.
Mijëra familje janë larguar gjithashtu nga shtëpitë e tyre pasi ushtria izraelite tha se goditi 1300 objektiva të Hezbollahut në një operacion të ndërmarrë për të shkatërruar infrastrukturën që grupi i armatosur kishte ndërtuar që nga lufta e vitit 2006.
Hezbollahu, ndërkohë, lëshoi më shumë se 200 raketa në veri të Izraelit, sipas deklaratave të ushtrisë. Mjekët thanë se dy persona u plagosën nga predha. Fuqitë botërore kanë kërkuar vetëpërmbajtje pasi të dyja palët duket se po afrohen më shumë drejt një lufte gjithëpërfshirëse.
Ministria e shëndetësisë e Libanit tha se 35 fëmijë dhe 58 gra ishin në mesin e të vdekurve, ndërsa 1,645 të tjerë ishin plagosur. Megjithatë nuk raportohet për numrin e saktë se sa prej viktimave ishin civilë dhe sa ushtarakë.