Kompania farmaceutike, Riga Pharm ka reaguar ndaj akuzavetë Koordinatores së Komiteteve të Vetëvendosjes, Dejona Mihaili, pasi kjo e fundit e ndërlidhi me deputeten e LDK’së, Hykmete Bajrami.
Kompania përmes një reagimi tha se shpifje të tilla dëmtojnë reputacionin e kompanisë dhe mund të ndikojnë negativisht në stabilitetin e vendeve të punës të punëtorëve.
Tutje thuhet se kjo kompani do t’i shqyrtojë mundësitë ligjore në funksion të mbrojtjes së reputacionit të kompanisë.
Reagimi i plotë:
Të nderuar qytetarë dhe autoritete përkatëse,
Me keqardhje kemi vënë re deklaratat e fundit të znj. Dejona Mihaili, të cilat përmbajnë pretendime të pabazuara dhe të pasakta lidhur me pronësinë e kompanisë sonë, Riga Pharm.
Këto shpifje jo vetëm që dëmtojnë reputacionin tonë si një kompani farmaceutike e përkushtuar, por edhe minojnë besimin në sektorin privat dhe klimën e biznesit në Kosovë.
Është thelbësore për ne që opinioni publik të jetë i informuar saktësisht.
Riga Pharm është një kompani e pavarur, e cila operon me integritet dhe transparencë të plotë.
Përhapja e informacioneve të pasakta dhe akuzave të pabazuara krijon pasiguri dhe mund të ndikojë negativisht në stabilitetin e vendeve të punës për punonjësit tanë të devotshëm.
Ne i bëjmë thirrje të gjithë akterëve publikë që të tregojnë përgjegjësi dhe maturi në deklaratat e tyre, duke mos përfshirë emrin e kompanisë sonë për qëllime elektorale.
Linçimi publik i bizneseve vendore dëmton frymën pozitive të investimeve në Republikën e Kosovës.
Riga Pharm do të vazhdojë të kontribuojë në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, duke u bazuar në vlerat e saj të integritetit dhe profesionalizmit.
Ne do shqyrtojmë të gjitha opsionet ligjore për të mbrojtur emrin dhe reputacionin tonë, të krijuar me ndershmëri dhe djersë për më shumë se 11 vite.