SPAK mbylli hetimet për dosjen Partizani, ndërsa sot avokatët e Sali Berishës dhe të pandehurve të tjerë u paraqitën për të firmosur dhe për të tërhequr aktet e hetimit.
Në një konferencë për gazetarët, Sali Berisha tha se ky është një akt i paprecedentë dhe që është bazuar në një piramidë falsifikimi.
Sipas kreut të PD-së, pavarësisht se hetimet zgjatën në kohë, asnjë provë nuk është gjetur që inkriminon atë apo dhëndrin e tij.
“Edi Rama, kreu i narkoshtetit shqiptar, Altini i pyetjes 1 milion euro dhe tre apartamenteve sipas tij si rrogëtar shteti, ish-xhelati i policisë sekrete shqiptare me vila dhe ndërtime, Kraja, ndrikulla e bandave të rrezikshme, simotra biologjike e Taulant Ballës, Mellonai, dorëzuan avoketërve të mi në mënyrë përfundimtare dosjen për klubin Partizani me akuzën për korrupsion pasiv për Sali Berishën dhe të njëjtën, shtuar dhe larje parash për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi”.
“Ky akt i paprecedent, i bazuar në një piramidë fund e krye mashtrimi, falsifikimi dokumentesh, manipulimi dhe fshehje të dokumenteve zyrtare, do gdhendet në muret e kohës si një nga veprat më të shëmtuara të narkoshtetit në Shqipëri”.
“Në këtë piramidë, prokurorët politikë të prokurorisë private të Edi Ramës kanë rreshtuar duke i shumëzuar për dy të gjitha mashtrimet e renditura në dokumentin me të cilin ata shpallën nën hetim Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin, dhe vendosën në shkelje të rëndë të Kushtetutës, Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe ligjeve të vendit, arrestin e tij në shtëpi, ndalimin e komunikimit të tij me çdo person tjetër përveç familjarëve të afërt dhe ndalimin e ndjekjes së punimeve të parlamentit si deputet i zgjedhur nga qytetarët, ndonëse pa asnjë masë dënimi siç kërkojnë ligjet për këtë vendim”, tha Berisha