Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është takuar me nënsekretarin e Përgjithshëm dhe Administratorin e Asociuar të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Haoliang Xu.
Bëhet e ditur se Kurti vlerësoi partneritetin dhe bashkëpunimin me UNDP-në, teksa Xu-në e njohu me rritjen ekonomike dhe sipas tij, shpërndarjen e barabartë të saj te të gjithë qytetarët pa dallim, sundimin e ligjit e luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Ai shtoi se arritjet dhe zhvillimin që po përjeton vendi, u dëshmuan edhe përmes rankimeve e matjeve ndërkombëtare. Kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen nga ana e UNDP- së edhe në programe që prekin transformimin digjital, transparencën dhe qeverisjen e mirë”.
“U theksuan projektet zhvillimore në pjesën veriore të Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimi me UNDP në këtë aspekt. Kryeministri theksoi nxitjen e të bërit biznes përmes incentivave të Qeverisë, si dhe projektet infrastrukturore që do përkrahen në kuadër të organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030. Të njëjtat, theksoi Kryeministri, do ndihmojnë zhvillimin ekonomik në dobi të qytetarëve dhe do mund të fuqizohen më tutje përmes bashkëpunimit me UNDP-në”, thuhet në njoftimin e qeverisë,
Ndërsa, nënsekretari Haoliang Xu, thuhet se ka vlerësuar reformat dhe angazhimin e qeverisë, teksa ka nënvizuar gatishmërinë e UNDP-së për të përkrahur iniciativat e qeverisjes së mirë dhe digjitalizimit të shërbimeve.
“Duke theksuar përkushtimin e Kosovës ndaj objektivave për zhvillim të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, Kryeministri Kurti e falënderoi z. Haoliang Xu për shkëmbimin dhe bisedën e frytshme, duke rikonfirmuar bashkëpunimin e thellë dhe produktiv me UNDP-në”, thuhet në njoftim