Që prej janarit të vitit 2002, ku u hodh për herë të parë në qarkullim si monedhë fizike, euro është konsideruar si valuta e fortë. Sot vetëm e tillë nuk është.
Në dy vitet e fundit, zhvlerësimi i saj ka qenë me ritme të forta e të pandalshme, duke krijuar në momente të caktuara edhe panik tek një pjesë e bizneseve dhe qytetarëve.
Po çfarë ka ndodhur me tregun e këmbimit valutor dhe veçanërisht me euron?
Monedha europiane ka pësuar rënie të vazhdueshme vitet e fundit, të cilat janë përshpejtuar veçanërisht pas vitit 2021. Vetëm në tre vitet e fundit, euro ka humbur më shumë se 23 lekë, ose mbi 20% të vlerës së saj. Ekspertët shpjegojnë se sasia e euros në qarkullim, apo ajo që ndryshe njihet si oferta, është shumë më e lartë sesa kërkesa, ose nevoja për euro. Një prishje ekuilibrash që ka rrëzuar monedhën evropiane.
Gjatë muajve korrik-gusht, që është edhe piku i sezonit turistik, Banka e Shqipërisë ndërhyri shumë herë në tregun e këmbimit për të tërhequr një pjesë të eurove, në përpjekje për të mos lejuar uljen e saj nën kuotën e 100 lekëve, të konsideruar si një kufi psikologjik. Një vijë e kuqe tashmë e shkelur dhe që sinjalizon çdo ditë për rënie të reja të vlerës së euros.
Por nuk janë vetëm burimet zyrtare ato që e kanë bërë të pandalshme tatëpjetën e euros. Kjo edhe pse ka pasur rritje të flukseve valutore nga rrugët zyrtare, si të ardhurat nga turizmi, investimet e huaja dhe remitancat apo ndryshe dërgesat e emigrantëve. Por kanalet informale janë ato që kanë shtuar ndjeshëm eurot në treg, edhe pse sasia e tyre mbetet e matshme. Euro nën kuotën e 99 lekëve është tashmë normaliteti i ri. Kjo do të thotë se agjentët ekonomikë, si bizneset dhe qytetarët, duhet të riorientojnë planet dhe vendimet financiare me një euro të dobët në këto nivele ose edhe më poshtë.
Rënia e shpejtë dhe e fortë e euros ka ndikim të jashtëzakonshëm të ekonominë shqiptare. Kjo pasi euro është monedha e dytë më e përdorur në vend pas lekut. Ose më saktësisht, ekonomia jonë përdor në nivele thuajse të ngjashme dy monedha: atë zyrtare, lekun dhe euron.
Euro përdoret sot si monedhë në shumë transaksione të brendshme në sektorë të rëndësishme të ekonomisë shqiptare, si sektori financiar, ku një pjesë e konsiderueshme e depozitave dhe kredive janë në këtë valutë; në tregun e pasurive të patundshme në shitjen dhe dhënien me qira të pronave; në turizëm, por edhe tek një pjesë e shërbimeve.
Ne blejmë nëpër dyqane me euro, paguajmë në restorante, madje së fundmi edhe në supermarket.