Sveçla ka thënë se nuk mund të marrin helikopterë pa lejen e KFOR-it. Këto komente, Sveçla i ka bërë në një intervistë për “Kallxo.com”, pasi që është pyetur se pse Kosova nuk ka ende helikopter dhe nëse ka plan për blerjen e tyre. Sveçla ka thënë se ka plane për blerjen e tyre, por para se të ndodhë kjo duhet të jap leje KFOR-i.
“E kemi një problem; hapësirën ajrore e kontrollon KFOR-i, do të thotë ne nuk jemi plotësisht sovranë”, tha ai.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se ish-komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, ia kishte ndaluar një helikopter që MPB-ja e kishte marrë me qira për të transportuar ish-policin e Kosovës, Dejan Pantiç, nga pika kufitare në Jarinje ku ishte arrestuar, më 10 dhjetor 2022.
“Ristuccia ma ka ndalë helikopterin privat me marrë Pantiç-in nga Jarninja me dërgu në burgun e Mitrovicës, që e kena marrë na me qira si Ministri e Punëve të Brendshme”, tregoi ministri. Ai tregoi se helikopteri në fjalë ishte marrë nga një kompani e huaj që jep me qira helikopterë.