Historia e ‘tenderëve njëburimor’ të Ministrisë së Mbrojtjes për ushqimin e ushtarëve të FSK-së

by Merita

Ministria e Mbrojtjes që nga tetori i vitit 2023 e deri në shtator 2024 ka dhënë tre tenderë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, kompanive të cilat ishin shpallur të pa përgjegjshme nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), të njohur ndryshe si Gjykata e Tenderëve.

Kontratat e dhëna janë në vlerë miliona euro, ndërsa janë për furnizim me ushqim për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

banner

Ndjekja e procedurës së negociuar për furnizimin me ushqim për ushtarët është kritikuar nga opozita, duke e cilësuar si të dyshimtë zgjedhjen e kësaj procedure, ndërsa Ministria ka thënë se nevoja ka qenë emergjente dhe për këtë arsye është zgjedhur kjo procedurë.

Arsyetimi që Ministria e Mbrojtjes ka dhënë për hapjen e këtyre tenderëve përmes procedurës së negociuar dhe jo asaj të hapur, ishte se ka qenë e pamundur për Ministrinë që brenda afateve kohore të zhvillojë një procedurë të hapur.

Sipas tyre, nevoja urgjente për furnizim me ushqim dhe për shkak që procedura e hapur shkaktonte vonesa, Ministria ka zgjedhur një mënyrë më të shpejtë për t`u furnizuar me ushqim për ushtarët e FSK-së.

Fillimisht, Ministria e Mbrojtjes në qershor të vitit 2023 kishte hapur një tender në vlerë të parashikuar prej 13 milionë eurove për furnizime me ushqim për ushtarët në kazermat e FSK-së në Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, Istog, Ferizaj, Pomozotin, Gjakovë dhe Prizren.

Tenderi ishte i ndarë në tre lote.

LOT-in e parë e kishte fituar konzorciumi i përbërë prej kompanive “Global Parajsa” dhe “Delfin LTD” me çmim 3 milionë e 998 mijë e 750 euro; LOT-in e dytë e kishte fituar konzorciumi i përbërë prej “NNH Verona” Hajdini Comerc” dhe “Bylmeti” me çmim 4 milionë e 247 mijë e 100 euro; si dhe LOT-in e tretë e kishte fituar kompania Beni Dona Plast me çmim prej 3 milionë e 914 mijë e 750 euro.

Por pas ankesave të kompanive që kishin marrë pjesë në tender, Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte nxjerrë një vendim më datë 22.02.2024, përmes të cilit kishte konstatuar se të gjitha kompanitë e shpallura fituese në të tre LOT-et e tenderit 13 milionësh, ishin të papërgjegjshme në ofertat e tyre.

Paneli shqyrtues i OSHP-së kishte konstatuar se tenderi nuk ishte zhvilluar konform dispozitave bazë të Ligjit të Prokurimit Publik.

“Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, analizimit të ofertave me kërkesat e Autoritetit Kontraktues (Ministria e Mbrojtjes), si rrjedhojë sipas sqarimeve në shqyrtimin e pretendimeve ankimore në lëndët sipas ankesave, rezulton se tre grupet e operatorëve ekonomikë të rekomanduar për tri LOT-et janë të papërgjegjshme dhe nuk i plotësojnë kërkesat e dosjes së tenderit” – thuhet në vendimin e OSHP-së.

“Duke pasur për bazë se të tre ankuesit të cilët janë ankues ndaj njëri tjetrit në procedurën e prokurimit të ndarë në LOT-e, nuk janë të përgjegjshëm dhe nuk kanë ofertuar konform Rregullores për Prokurim Publik, ku thuhet se procedura e prokurimit pas hapjes së ofertave duhet të anulohet nëse asnjëri prej tenderëve të pranuar nuk është i përgjegjshëm, paneli shqyrtues vendos se ky aktivitet i prokurimit të anulohet dhe nëse Autoriteti Kontraktues ka edhe më tej interes, të njëjtin ta ritenderojë”.

Ministria e Mbrojtjes pas këtij vendimi të OSHP-së, më datë 23.02.2024 kishteanuluar tenderin, por nuk kishte ri-tenderuar një tjetër, sipas rekomandimit të Gjykatës së Tenderëve, por kishte dhënë tre të tjerë me radhë, me procedurë të negociuar.

Kontrata e parë ishte nënshkruar më 20.09.2023 dhe fitues i saj përmes procedurës së negociuar ishte kompania “Beni Dona”, me çmim prej 2 milionë e 245 mijë eurove. Kohëzgjatja e saj ishte për vetëm 6 muaj. Kjo kompani ishte njëra nga kompanitë që në tenderin e procedurës së hapur ishte shpallur nga OSHP-ja si e papërgjegjshme në ofertën e saj.

Edhe kontratën e dytë të procedurës së negociuar e kishte fituar përsëri kompania “Beni Dona’. Kësaj here në vlerë prej 2 milionë e 209 mijë e 200 euro. Ajo ishte nënshkruar më datë 29.03.2024 dhe po ashtu kohëzgjatjen e kishte për 6 muaj.

Ndërsa kontrata e tretë ende nuk është nënshkruar, sipas të dhënave në sistemin elektronik të prokurimit publik. Ajo i është dhënë konzorciumit “Hajdini Comerc dhe Bylmeti”, me vlerë totale prej 2 milionë e 149 mijë euro. Kompania “Hajdini Comerc” është njëra nga kompanitë që në tenderin e procedurës së hapur të qershorit 2023, OSHP-ja e kishte shpallur ofertën e saj si të pa përgjegjshme.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Ministria e Mbrojtjes ka thënë se për tenderin e fundit të procedurës së negociuar, janë ftuar 9 kompani për të ofertuar, ndërsa prej tyre janë 4 që kanë ofertuar.

Sipas Ministrisë, ankesat e kompanive në OSHP në të kaluarën, kanë ndikuar që tenderi të bllokohet dhe të rrezikohet furnizimi me ushqim. Dhe kjo është arsyeja, sipas tyre, pse janë zhvilluar procedurat e negociuara për këta tenderë.

“Në të kaluarën ka ardhur deri te përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë për arsye të ndryshme pasi që kemi zhvilluar procedura të hapura dhe për shkak se operatorët ekonomik gjithnjë kanë bërë kërkesa për rishqyrtim e po ashtu edhe ankesa në OSHP dhe kemi ardhur deri te afatet kur nuk ka qenë e mundshme të arrihet kontratë e rregullt dhe për këto arsye është përdorur procedura e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë” – kanë thënë nga Ministria e Mbrojtjes për KALLXO.com.

Kontrata aktuale që ka Ministria për furnizim me ushqim skadon më 30.09.2024.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy