Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka organizuar një takim online me përfaqësues të Diasporës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në fjalën e tij, Berisha ka thënë se tashmë në Shqipëri është instaluar “mobokracia” nga kryeministri Edi Rama. Ai ka kërkuar mbështetjen e Diasporës në zgjedhjet e ardhshme.
“Në Shqipëri është instaluar mobokracia nga Edi Rama, vendi po zbrazet, opozita ndodhet në kushte të vështira, ndërsa vendi në sundimin e bandave më të rrezikshme”.
Kështu u shpreh kreu demokrat Sali Berisha në fjalën e tij në një lidhje direkte me shqiptarët e Diasporës në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ndodhet edhe Belind Këlliçi, teksa kërkoi mbështetjen e tyre për PD-në në zgjedhjet e ardhshme.
Sipas kreut demokrat mobokracia është një diktaturë më të keqe se nazistët dhe komunistët dhe sipas tij Rama e ka instaluar atë për dy arsye, shkuar A2
“E para, ai ka një trashëgimi të bllokut komunist, me të cilin frika e qytetarëve përbën mjetin kryesor të sundimit. Së dyti, ai kanabizoi Shqipërinë me një politikë zyrtare pothuajse, Edi Rama mbolli nga thellësitë e Alpeve të veriut në kufi me Plavën, gjer në Pogon me mijëra e mijëra plantacione kanabisi. Dhe në këtë mënyrë, ai ndërtoi narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë. Por, kjo për qytetarët është diktaturë e krimit, drogës, e cila vendos në kutitë e votimit, vendos në parlament, vendos në qeveri, vendos në rrugë, vendos në pritë, vendos kudo. Edi Rama hapi apo vendosi vendin tërësisht në sundimin e bandave më të rrezikshme”.
Berisha akuzoi kreun e qeverisë, për blerjen e votave, për ndërtimet e kullave 50 katëshe me çmimet më të larta në Europë, në një kohë kur vendi po zbrazet, raporton A2
“Sot në Tiranë keni konstatuar se ndërtohen si kërpudha kulla 30, 40, 50 katëshe. Deri tani, investimi i tyre i kalon 4 miliardë euro. Nga këto, vetëm 800 milionë vijnë nga bankat. Të gjitha janë para droge, para të nëndheshme. Ka 56 mijë apartamente bosh. Çmimet janë më të tretat më të lartat pas Mynihut dhe Parisit. Një njeri për të blerë një apartament, duhet të punojë 104 vite. Shqiptarët kanë ikur, të dashur miq. Kurrë në histori në asnjë pushtim të cilitdo lloji qoftë, nuk ka ndodhur që nga viti 2014 gjer në vitin 2022, të braktisin Shqipërinë 34 përqind e shqiptarëve. Shqipëria po zbrazet me Shqipëri, kombi po shkretohet. Proceset elektorale, zgjedhjet, vdesin para se vota të hyjë në kuti. Një makineri gjigante e blerjes së votës e bën procesin zgjedhor një farsë të vërtetë”
Instalimi i këtij regjimi, sipas Berishës ka edhe mbështetjen ndërkombëtare, duke bërë që vendi të kalonte grusht shteti për të asgjësuar opozitën.
“Shumë herë kam pyetur veten pse Hantington shkruan se mobokracitë janë forma më e egër? Ai thotë se ato nuk ndjekin asnjë rregull. Por unë konsideroj mjerisht se ata kanë mbështetje jo të vogël ndërkombëtare. Kanë mbështetje që e tejkalon imagjinatën tonë. Ajo që keni dëgjuar me McGonigalin, ajo u garantoj ju se është maja e ajsbergut e fuqisë korruptive të narkoshtetit shqiptar. Në këtë kontekst, Shqipëria kaloi këto vite, 3-4 vite, t’u them haptas, një grusht shteti. Grushtet e shtetit për një vend nuk janë vetëm përmbytjet e qeverisë. Jo, grushtet e shtetit ndodhin edhe kur synohet të përmbytet opozita. Pse kjo? Se çdo vend ka sovranitet të brendshëm dhe të jashtëm. Në diktatura nuk ka sovranitet të brendshëm. Pa opozitë, nuk ka sovranitet të brendshëm dhe ajo që ndodhi me lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe Xhorxh Soros, kishte vetëm një qëllim, shndërrimin e opozitës shqiptare në një fasadë të Edi Ramës”, theksoi Berisha, raporton A2
Berisha përsëriti se edhe shpallja non grata e tij ishte vepër e Ramës dhe Sorosit, për shkak të mbrojtjes së interesit të Kosovës.
“Vendimi i lobuar nga Xhorxh Soros dhe Edi Rama, pa asnjë fakt, pa asnjë bazë, kishte vetëm një synim, asgjësimin e opozitarizmit të vërtetë në Shqipëri. U detyruam të gjithë si demokratë të bëjmë përpjekje të mëdha për të pasur opozitë Shqipëria. Dhe sot Shqipëria ka opozitë, në kushtet më të vështira. Pasi u gjetëm para të papriturës, menduan se e arkivuan Sali Berishën dhe e damkosën me turp, ai u rikthye falë mbështetjes së shqiptarëve. Dhe ky ishte një dështim i madh në atë përpjekje që u bë. Pas kësaj, hapën dosje dhe kujtuan se do blinin heshtjen time, po heshtja ime nuk mund të blihet. Të gjitha projektet nga viti 2013, përveç periudhës së presidentit Trump, madje edhe gjatë asaj periudhe, më falni, të Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës me Serbinë, janë projekte të firmosura nga Fondacionit të Shoqërisë së Hapur në Beograd”
Kreu demokrat solli në vëmendje edhe burgosjen e deputetit demokrat Ervin Salianji dhe kërkoi nga bashkëatdhetarët që të mbështesin me votë PD-në në zgjedhjet e 2025-ës.
“Ftoj çdonjërin prej jush, të bëjë gjithçka për të siguruar numrin më të madh të mundshëm të pjesëmarrjes tuaj në zgjedhjet e ardhshme. Si një votë për shpëtimin e Shqipërisë, e cila në fakt po rrokulliset, po zbrazet si asnjëherë tjetër në historinë e saj. Por meqë jam këtu tek roli juaj, mundësia juaj është shumë e madhe përsëri. Të rrisni ndjeshmërinë tek ligjvënësit tuaj, të cilët historikisht kanë mbështetur shqiptarët në rrugën e tyre të lirisë për situatën dramatike dhe për ndikimin armiqësor, antidemokratik, antishqiptar të superspekulantit të planetit, Xhorxh Soros. Një mobilizim maksimal për të votuar në vitin 2025 për Shqipërinë, por para se të votojmë për Shqipërinë dhe Partinë Demokratike, ftoj ju, ftoj të gjithë bashkëatdhetarët tanë të votojnë për Nik Gjonajn, kryetarin e ardhshëm të Oakland Countri. Si një përfaqësues dinjitoz që bën krenar çdo shqiptar”
Berisha i ftoi gjithashtu bashkëatdhetarët e Diasporës që të votojnë për republikanët në zgjedhjet e nëntorit në SHBA