Operacionet izraelite në territorin e Libanit vazhdojnë me intensitet të lartë, duke vazhduar pushtimin që nisi mbrëmjen e djeshme, e që synon neutralizimin e degëve të Hezbollahut dhe shkatërrimin e objekteve të organizatës shiite.
Megjithëse Izraeli zyrtarisht pretendon se ky është një operacion në shkallë të vogël, siç theksojnë zakonisht shumë analistë ndërkombëtarë, askush nuk e di evolucionin e këtij kapitulli të ri që u hap në konfliktin e Tel Avivit me armiqtë e tij në Lindjen e Mesme.
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit Daniel Hagari mbajti një konferencë për shtyp të martën pasdite, duke thënë se IDF ia ka dalë të zbulojë planet e Hezbollahut për të kapur rajonin e Galilesë në Izraelin verior në një sulm të stilit të 7 tetorit nga Hamasi, shkruan A2.
Sipas Hagarit, “Hezbollahu zgjodhi të përfshihej në luftën që Hamasi filloi më 7 tetor, me masakrën e tmerrshme në Izraelin jugor”. Që atëherë, ai pretendon se Hezbollahu ka lëshuar mbi 9,500 raketa mbi shtëpitë, familjet dhe komunitetet izraelite, duke detyruar 60,000 izraelitë të largohen nga shtëpitë e tyre.
Hagari theksoi se “Hezbollahu ka deklaruar hapur se planifikon të kryejë masakrën e vet të stilit të 7 tetorit në kufirin verior të Izraelit, në një shkallë edhe më të madhe”.
Ky plan invazioni quhet “Pushtimi i Galilesë”. “Për vite me radhë, Hezbollahu është përgatitur të bëjë në Izraelin verior atë që bëri Hamasi në jug. Të pushtojë Izraelin, të depërtojë në zonat e banuara dhe të masakrojë civilët e pafajshëm”, deklaroi ai.