Kreu i PD-së Sali Berisha e cilësoi akt antikushtetues, antiligjor e vendim politik burgosjen e deputetit demokrat Ervin Salianji
Berisha tha se dënon me forcë “qëndrimin brutal të Edi Ramës” dhe sipas tij, ky akt që tejkalon edhe standardet e vendeve më moniste, tregon se Edi Rama është i tmerruar nga krimet dhe lidhjet e tij me krimin
“Sot, jam para jush për të dënuar me forcën më të madhe qëndrimin brutal të Edi Ramës, i cili me zëdhënësen e tij, që nuk po përdor epitete, duke marrë pushtetin e Komisionit të Mandateve, ekzekutoi në një akt antikushtetues, antiligjor, vendimin politik të kreut të krimit të organizuar dhe narkoshtetit në Shqipëri, Edi Ramës, për burgosjen e deputetit Ervin Salianji, nënkryetarit të grupit të PD, për rrjedhojë anëtarit të kryesisë së parlamentit shqiptar.
Ky akt, që tejkalon edhe standardet e vendeve më moniste, tregon fytyrën e vërtetë, tregon ringjalljen në shpirtin dhe qenien e Edi Ramës të babait të tij xhelat, Kristaq Rama, që urdhëronte me 10 gusht të vitit 1988, varjen në litar të disidentit Havzi Nela.
Ky akt prej burracaku dëshmon se jo deputeti guximtar Ervin Salianji, por është Edi Rama i tmerruar nga krimet, lidhjet e tij me krimin dhe urdhëron shkelmimin e Kushtetutës, shkelmimin e parlamentit”, deklaroi Berisha