Irani po përgatitet të nisë “së shpejti” një sulm me raketa balistike ndaj Izraelit, sipas një zyrtari të lartë të administratës amerikane. Zyrtari gjithashtu paralajmëroi për “pasoja të rënda” nëse sulmi ndodh. Njoftimi u bë i ditur pasi ushtria izraelite filloi, siç tha, një operacion të kufizuar tokësor kundër grupit Hezbollah, në Liban.
Izraeli paralajmëroi banorët që të largoheshin nga disa dhjetëra fshatra kufitare të Libanit me Izraelin. Irani do të përballet me pasoja të rënda nëse kryen një sulm me raketa balistike, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë duke folur për shtypin amerikan në kushte anonimiteti. Zyrtari tha se Teherani duket se po përgatitet të fillojë në çdo moment, një sulm me raketa balistike ndaj Izraelit.