Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, sot mori pjesë në Forumin Ekonomik Gjermano-Kosovar, në të cilin foli se pse Kosova duhet të jetë pjesë e tregut rajonal dhe pse e shtyn këtë ide përpara qeveria gjermane.
Në mesin e mospajtimeve për CEFTA-n ku Kosova rrezikon përjashtimin për shkak të refuzimit për të hequr ndalesën për importin e mallrave nga Serbia, Sarrazin shfrytëzoi këtë forum për t’u takuar me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
Ky i fundit u përball me pyetjet e gazetarëve nëse kishte dalë diçka konkrete nga ky takim rreth CEFTA-s. Në një përgjigje të shkurtë, Bislimi konfirmoi se kanë folur për këtë temë, por nuk foli mbi rezultatet.
Në fillim, Bislimi tha se me emisarin gjerman në takim kishin folur për futboll.
Sarrazin gjatë fjalimit të tij se aktualisht shumica e investitorëve shkojnë në Serbi sepse duan të bëjnë biznes me tërë rajonin.
Ai tha Kosova vuan nga problemet me këtë temë dhe shtoi se kjo duhet të ndryshohet.
“Për t’u treguar shumë i sinqertë, sot shumë prej investitorëve shkojnë në Serbi derisa duan të investojnë në Serbi dhe të bëjnë biznes me tërë rajonin. Le ta ndryshojmë këtë. Le t’ju tregojmë investitorëve gjermanë që ju investoni në Kosovë dhe ne bëjmë një treg të përbashkët rajonal që e bën të mundshme që prej këtu ju mund të keni sukses në rajon”.