Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka qëndruar dje në Prishtinë.
Ai mori pjesë në Forumin e Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare në bashkëpunim me Komitetin Lindor të Ekonomisë Gjermane. Aty foli për investimet gjermane dhe procesin e Berlinit.
Gjatë një tryeze pas këtij forumi, emisari gjerman foli edhe për Asociacionin, Manastirin e Deçanit dhe Dhe marrëdhëniet e Gjermanisë me Kosovën
Sarrazin, është shprehur i bindur se sikur vendimi për regjistrimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit të merrej një gjysmë viti më parë, Kosova do të ishte anëtarësuar në Këshillin e Evropës.
Ai ka sqaruar se ky nuk është qëndrim i qeverisë gjermane, derisa ka thënë se gjërat duhet të bëhen kur ekziston momentumi, përndryshe mund të ndryshojnë.
“Në botë gjërat ndryshojnë dhe nëse e humbni momentumin, atëherë mos u ankoni më vonë se gjërat ndryshuan. Deçani erdhi vonë. Unë jam mjaft i sigurt. Ky nuk është qëndrim zyrtar i qeverisë gjermane. Nëse kjo do të ishte bërë një gjysmë viti më parë, ju do të ishit sot në Këshillin e Evropës. Është bërë vonë. Ishte shumë e qartë. Kjo është jeta. Bëni gjërat në kohë që t’ju njihen, përndryshe gjërat mund të ndryshojnë”, ka deklaruar Sarrazin një diskutim të organizuar për të shënuar angazhimin e Gjermanisë gjatë 25 vjetëve të fundit në Kosovë.
Sipas Sarrazin, Kosova ka pritur që Gjermania t’i bindë shtetet që të votojnë pro anëtarësimit në KiE, duke shtuar se kjo do të duhej të bëhej nga vetë Kosova.
“Ju nuk duhet t’ia besoni Gjermanisë të bëjë punën e juaj diplomatike. Duhet të bëhet nga vetë Kosova, që të bindë partnerët e tjerë e jo vetëm që të na lërë neve që ta bëjmë atë”, ka deklaruar ai.
Duke folur për çështjen e Asociacionit, Sarrazin tha se autoriteteve në Kosovë u mungon vullneti politik për themelim, posaçërisht në një kohë kur vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare.
“Dhe sinqerisht, mund të kuptoj se ky është një debat i nxehtë politik në Kosovë dhe se ndoshta për momentin vullneti politik, veçanërisht para zgjedhjeve, nuk është mjaftueshëm i fortë për të vazhduar realisht me këtë edhe për shkak të ngjarjeve në Banjskë dhe shumë gjëra tjera, si dhe frikës rreth asaj se çfarë mund të sjellë ky Asociacion”, tha ai.
Sarrazin gjithashtu tha se shteti i tij ka lobuar që Kosova të jetë pjesë e Këshillit të Evropës, dhe se “nuk është e drejtë që të thuhet se Gjermania e ka lënë në baltë Kosovën”.
Por sipas tij, në politikë momentumi është i rëndësishëm, duke shtuar se nëse Qeveria do të merrte vendim për pronat e Manastirit të Deçanit, vetëm gjashtë muaj më herët Kosova do të ishte pjesë e këtij institucioni.
Emisari gjerman shtoi se edhe përkundër insistimit të Gjermanisë për këtë çështje, shumë partnerë kanë qenë kundër, duke shtuar se shteti gjerman nuk mund ta bëjë detyrën diplomatike të Kosovës, por duhet që vet institucionet të veprojnë.
Këto komente ai i bëri në tryezën e diskutimit për të shënuar një çerek shekulli të Angazhimit Gjerman në Kosovë.
“Në politikë momentumi është shumë i rëndësishëm. Deçani erdhi shumë vonë. Ky nuk është qëndrim zyrtar i Gjermanisë, por i imi, nëse kjo do të bëhej gjysmë viti më herët, Kosova do të ishte pjesë e Këshillit të Evropës. Nuk është e drejtë që të thuhet se Gjermania e ka lënë në baltë Kosovën. Ne kemi lobuar që ta shtyjmë përpara votimin me partnerët tanë, për të votuar pro anëtarësimit në Këshillim e Evropës”.
“Çfarë do të ishte poenta nëse Gjermania do të votonte ndryshe prej partnerëve të saj të ngushtë evropianë në Komitetin e Përfaqësuesve të Ministrave dhe nga këndvështrimi ynë, vota do të dështonte. Për ne është e qartë që duhet të evitojmë dështimin e votimit. E kuptoj dëshpërimin, mund ta shoh edhe unë humbjen e besimin për shkak të kësaj çështje. Nëse vetëm Gjermania do të votonte nuk do të kishim shumicën”.
“Ka shumë çështje mes Gjermanisë dhe Francës dhe nuk ka qenë veç Kosova. Nuk mund të pritni që Gjermania të bëjë punën e juaj diplomatike, duhet Kosova ta bëjë atë. Ajo që harruat ta përmendi është se çuarja para e aplikimit nga Komiteti i Përfaqësuesve të Ministrave në Asamblenë Parlamentare është bërë nga Gjermania”.
Ai foli edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe Draftit të BE-së që i është dorëzuar Kosovës.
Sarrazin ka thënë se Kosova ka një Draft që i është dorëzuar nga miqtë dhe partnerët dhe se sipas tij, është një Draft i mirë.
Ai ka thënë se Gjermania dëshiron që Kosova ta marrë këtë Draft dhe ta procedojë për në Gjykatë Kushtetuese, meqë kjo do t’i hapte rrugë Kosovës për në Këshill të Evropës.
“Ju keni një draft që është shkruar nga BE-ja dhe partnerët dhe miqtë tuaj e që është një draft i mirë. Ne duam që ju ta merrni këtë draft. Unë mendoj që ju mund ta bëni, edhe nëse politika ndryshon apo jo, por në fund iu dërgon juve në Këshillin e Evropës nëse e çoni në Gjykatën tuaj Kushtetuese”, ka thënë Sarrazin.