Edhe pse pritnin që paga e muajit shtator t’u dilte, një gjë e tillë nuk ndodhi. Punëtorët e Arsimit në Komunën e Vitisë kanë mbetur pa paga këtë muaj. E ata sot janë para para objektit të Qeverisë së Kosovës, ku edhe kanë protestuar.
“Edhe Vitia është Kosovë, duam pagat tona”, ishin vetëm disa prej thirrjeve që ata bën përmes pankartave që mbanin në duar.
Rreth 800 punëtorë të arsimit në Viti nuk kanë marrë rroga këtë muaj, e nga SBASHK-u kanë paralajmëruar që nëse pagat nuk dalin brenda këtyre ditëve do të mund të ketë edhe grevë.
Sipas ministrisë, përkundër që buxheti për paga ndahet asisoj që të mbulojë shpenzimin për tërë vitin, si pasojë e rasteve përmbarimore, disa komuna kanë filluar të kenë mungesë buxheti në kategorinë e pagave qysh tani.
“Thesari i Kosovës ka njoftuar me kohë komunat të cilat janë ballafaquar me këtë problem që të bëjnë korrigjimet dhe përshtatjet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutimin e pagave të muajit shtator, dhe të gjitha komunat e kanë bërë përpos njërës. Komuna e vetme që nuk e ka bërë këtë rregullim është Vitia, e cila ka lënë programet e arsimit fillor dhe të mesëm pa buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të pagave të shtatorit. Me qëllim që të mundësohet ekzekutimi i pagave për të gjithë punonjësit e komunës, Thesari i ka dërguar në vazhdimësi njoftime Komunës së Vitisë, përfshirë edhe ditën e djeshme, të cilëve u është dhënë mundësia gjatë gjithë ditës duke i pritur që t’i bëjnë rregullimet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të plotë të pagave”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Lajmi.net ka kontaktuar dje kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit në Kosovë, Rrahman Jasharajn, i cili edhe paralajmëroi protestën e sotme.
Jasharaj bëri të ditur se të gjithë janë të shqetësuar në lidhje me këtë problematikë.
“Unë bashkë me anëtarët e stafit qendror dje pasdite ishim në Viti, u takuam fillimisht me Kryetarin e Vitisë z.Sokolin dhe e pamë shqetësimin e tij dhe angazhimin e tij që t’i drejtohet nivelit qendror. Ai qëndron pranë mësimdhënësve dhe ishte i shqetësuar dhe kërkesë e tij ishte që niveli qendror të reagoj dhe edhe punëtorët e arsimit në Viti të marrin pagat e shtatorit. Pastaj e mbajtëm një takim të jashtëzakonshëm me kuvendin e Sindikatës së Arsimit të Vitisë dhe përfaqësuesit aty shprehën shqetësim të arsyeshëm tek anëtarësia dhe kërkuan që të fillohet me veprime sindikale”, ka thënë Jasharaj për lajmi.net
“Me atë që e pash nga takimi me kryetarët dhe anëtarët e sindikatës nga Vitia nesër pritet që në orën 11:00 të vijnë para Qeverisë në shenjë proteste pse nuk janë marrë pagat, dhe nëse Qeveria do të thotë institucionet nuk reflektojnë atëherë nga biseda që pash aty institucionet e arsimit në Viti nga e hëna mund të hyjnë edhe në grevë, diçka që nuk do të duhej me ndodh”, ka thënë Jasharaj.
Kurse nënkryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu ka thënë se mosekzekutimi i pagave për 800 punëtorë të arsimit në Viti mund të ketë ndodhur për “arsye politike”.
“Burim i krejt kësaj ka ndodh mos kontrata kolektive, nënshkrimi i kontratës kolektive është nga niveli qendror, prandaj Komuna e Vitisë deri më tash është dëmtuar me 5 milionë e 590 mijë euro. Andaj ata kanë marrë para te kodi që ligjërisht nuk kanë pas të drejtë, tek kodi i pagave. Kodi i pagave me mëditje merret vetëm kur ka suficit, që nënkupton se Komuna e Vitisë nuk ka pas suficit por ka pas para të mjaftueshme, ata kanë marrë nga ky kod dhe nuk e kanë bërë ekzekutimin prej mungesë 167 mije euro”,thotë Aliu.
Tutje ai tha se Qeveria e Kosovës ka shkelur ligjin e Kosovës për mosekzekutimin e pagave dhe se duhet që së shpejti të merret një vendim për rimbursimin e tyre, në mënyrë që të mos dëmtohen punëtorët arsimor.
“Unë e konsideroj se është obligim i qeverisë që së shpejti me marrë një vendim që ta bëjë rimbursimin e kësaj në mënyrë që të mos dëmtohen as punëtorë arsimor që nuk janë fajtor po në këtë rast as Komuna e Vitisë e cila menaxhon me ta. Ka marrë pjesë në trajnime të cilat i kemi pas vazhdimisht edhe kur kemi pyet që të bëjmë kode buxhetore, që të ndajmë edhe buxhet për implementim të kontratës kolektive, pikërisht nga zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave kanë thënë se nuk keni të drejtë, prandaj unë e konsideroj se padrejtësisht kjo çështje dhe këtë padrejtësi munden ta korrigjojnë vetëm ata që e kanë bërë që kanë shkel mbi ligjin mbi ligjin e Kosovës dhe ata kanë një adresë që është Qeveria e Kosovës”,shtoi ai.
Gjithashtu ai tha se punëtorët arsimor janë të zhgënjyer për këtë padrejtësi që po iu bëhet.
“Kanë pas një pakënaqësi, ata thjesht janë punëtorë të thjeshtë nuk janë profesionistë nuk i din ligjet e Ministrisë Financave dhe Ligjin e Pagave dhe janë të zhgënjyer. Kanë të drejtë se këto gjëra nuk janë sqaru në kohë e kanë prit me një zhgënjim të thellë se ku ka më keq 1 muaj ditë me punu dhe në fund mos me marrë pagën që i takon”. theksoi Aliu.