Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj është kundërpërgjigjur deklaratave të Albin Kurtit i cili gjatë ditës në takim me strukturat e vetëvendosjes tha se në Kosovë është rritur numri i të punësuarëve nga 350 mijë sa ishte në 2021 në 425 mijë.
Ramush Haradinaj ka shkruar në facebook duke thënë se mbi 211 mijë persona e kanë braktisur Kosovën veç këto katër vitet e fundit. Ai ka shkruar se qe katër vjet Kosova ka regres ekonomik e assesi progres dhe përkundër kësaj Qeveria sipas tij vazhdon me sjelljen e papërgjegjshme.
“Pagat e njëjta, çmimet e larta, perspektiva zero. Qeveria vazhdon sjelljen e papërgjegjshme. Nuk e pranon problemin por e vazhdon me mashtrimin e qytetarëve. Sipas Haradinaj, Kurti po mashtron edhe kur po thotë se më shumë po kthehen se sa që po shkojnë në mërgim. Të gjithë e dimë se askush nuk po kthehet. Kjo qasje urgjent duhet të ndryshojë!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Postimi i tij:
211.789 persona e kanë braktisur Kosovën veç këto katër vitet e fundit. Mashtrimi i ndryshimit të madh të pushtetit shumë shpejt doli në pah dhe kjo i shtyri njerëzit që në masë të madhe dhe heshturazi zgjidhjen e problemeve ekonomike ta kërkojnë në rrugët e botës.
Të mos keqkuptohemi, gjithmonë ka pasur dhe do të ketë migrim nga vendet e Ballkanit, pra edhe nga Kosova për në vendet perëndimore. Është e drejtë njerëzore e drejta për një jetë më të mirë. Megjithatë, ajo çka po ndodhë në Kosovë në këto katër vite nuk është më vetëm migrim, por ky fenomen po merr karakter të dyndjes. Kosova nuk ka problem migrimi por ka problem dyndjeje të popullatës.
Qe katër vjet Kosova ka regres ekonomik e assesi progres. Pagat e njëjta, çmimet e larta, perspektiva zero. Qeveria vazhdon sjelljen e papërgjegjshme. Nuk e pranon problemin por e vazhdon mashtrimin se më shumë po kthehen se sa që po shkojnë e të gjithë e dimë se askush nuk po kthehet. Kjo qasje urgjent duhet të ndryshojë!