Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se ia “ka lidhur këmbët” Kosovës me marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, pasi që sipas tij, fokusi kryesor i kësaj ujdie është themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe jo njohja reciproke. Hoti, thotë se qasja e gabuar e Kurtit rrezikon përjashtimin e Kosovës nga mekanizmat rajonalë CEFTA dhe Procesi i Berlinit.
Krahas kësaj, ai nënvizon se Ekzekutivi vendor nuk mund të pretendojë se ka shtrirë sovranitetin në veri derisa komuniteti serb nuk është përfshirë në institucione.
Ai i sheh me rezerva takimet e krerëve institucionalë në SHBA dhe vendet aleate, pasi siç thotë, rezultatet në politikën e jashtme janë zero. Ai ka edhe një porosi për presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
“Kosova ia ka lidhur këmbët vetes me marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Këtu ndihem keq. Përderisa kemi lënë procesin e dialogut në binarë që dërgon në njohje reciproke, sot kemi përfunduar me një marrëveshje e cila fokusin kryesor e ka në themelimin e asociacionit. Derisa në qeveritë paraprake kemi pasur letra të presidentëve amerikanë drejtuar Kosovës dhe Serbisë që të dyja të angazhohen në proces të dialogut për njohje reciproke, tash kemi presion ndaj Kosovës që të angazhohet në themelim të asociacionit. Ky është dallimi dhe degradimi i dialogut gjatë këtij mandati”, tha Hoti.
Ish-kryeministri Hoti, thotë se Qeveria Kurti ka humbur besimin e aleatëve andaj ata edhe e kërcënojnë Kosovën me përjashtim nga CEFTA dhe Procesi i Berlinit.
Sipas tij, vendosja e masës së sigurisë për mallrat serbe nuk është e duhur, pasi për çdo dyshim nevojitet të fuqizohen kufijtë dhe të rritet shkalla e gatishmërisë pa pasur nevojë për masa tjera që rrezikojnë Kosovën në këta mekanizma rajonalë.
“Tash kemi ardhur në një situatë ku diskutohet për prezencën e Kosovës në Procesin e Berlinit. Ajo çka mua më shqetëson edhe si deputet dhe ish- kryeministër që kam qenë pjesë në udhëheqjen e këtyre proceseve në emër të Kosovës, është situata e krijuar duke kthyer Kosovën në problem të sigurisë në rajon… Vetëm ideja që Kosova mund të largohet nga ky mekanizëm është i dëmshëm. Sinjali që mund të dërgohet tek investitorët, partnerët, aleatët dhe partnerët tjera është i dëmshëm. Një klasë politike me pak sens për rrjedhat politike, nëse punon për interesat e vendit, i merr veprimet në kohën e duhur në mënyrë që mos të vijmë në situata të tilla… Qasja e tillë e qeverisë nuk i përligj këto argumente që mund t’i kenë. Ne mund t’i fuqizojmë kufijtë, rrisim shkallën e gatishmërisë pa pasur nevojë për masa tjera që na rrezikojnë Procesin e Berlinit dhe CEFTA”, thekson Hoti.
Duke folur për pretendimet e qeverisë për shtrirje të sundimit të ligjit dhe sovranitetit në veri, Hoti thotë se s’mund të pretendohet një gjë e tillë, derisa komuniteti serb nuk është përfshirë në institucione.
“Një qeverisje demokratike nënkupton përfshirje të komuniteteve lokale në qeverisje. Ne nuk mund të pretendojmë se kemi shtrirë institucionet e vendit në atë pjesë, për sa kohë komuniteti serb nuk është përfshirë në institucione. Arsyet tani janë çështje tjetër. Është fakt, se komuniteti serb vazhdon të mbetet nën ndikimin e Beogradit, por ne duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët me ta… Vetëm atëherë përmirësohet situata në veri, duhet t’i kemi kryetarët e komunave që përfaqësojnë komunitetit shumicë në atë pjesë. Ne duhet t’i kemi forcat policore që përfaqësojnë komunitetin shumicë në atë vend. Vetëm atëherë mund të themi se po bëhet progres atje. Unë nuk jam nga ata politikanë që krenohet duke thënë se po ndërtojmë stacione policore në veri. Kjo nuk është rruga e duhur”, tha Hoti.
Sa i përket politikës së jashtme, Hoti thotë se Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë dështuar duke mos i sjellë Kosovës asnjë njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Në politikën e jashtme ka deklarime të ndryshme. Mund të ketë takime të ndryshme, ka procese dhe zhvillime, por këto bien poshtë nëse ne fokusohemi vetëm në rezultate. Cilat janë sot rezultatet e kësaj qeverisje në politikën e jashtme? Ne nuk kemi asnjë njohje ndërkombëtare. Qeveritë e kaluara me të gjitha sfidat që kanë pasur kanë sjellë njohje, dikush më shumë e dikush më pak, e kanë bërë një hap në konsolidimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Edhe unë në periudhën sa kam qenë kryeministër, në një periudhë të shkurtër kemi sjellë një njohje. Asnjë njohje nuk e kemi në këtë mandat, asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtarë. S’kemi as premtime apo rrugë të trasuar për njohje të reja dhe anëtarësime të reja në organizata ndërkombëtare. Komunikimi jonë me aleatët kryesorë është i cenuar me vendet kyçe të BE-së dhe SHBA-në. Po ashtu, edhe me Shqipërinë. Ka dy vjet që nuk ka mbledhje të përbashkët të dy qeverive… Kështu matet suksesi në politikën jashtme, jo me vizitat dhe takimet – ato duhet të prodhojnë diçka. Çka prodhojnë takimet e kryeministrit në SHBA? Çka kanë prodhuar në këto katër vjet?”, shton Hoti.
Hoti kërkon nga Kurti dhe Osmani të japin përgjigje, siç thotë, për mashtrimet ndër vite që iu kanë bërë qytetarëve. Ai akuzon edhe presidenten, e cila sipas tij nuk mund të amnistohet për dështimet e Qeverisë.
“Gjithmonë në të gjitha veprimet ka qenë në linjë me kryeministrin ose ka qenë i heshtur… Këta të dy, presidentja dhe kryeministri, kanë shumë përgjigje që duhet të japin ndaj qytetarëve për mashtrimet kolosale që iu kanë bërë qytetarëve në të gjitha fushat. Besoj, se nuk mund t’i ikin kësaj përgjegjësie… Janë përdorë terma të ndryshëm për punën e saj. Unë s’po i përdori, por ka qenë plotësisht ndaj kryeministrit në qasjen që ka pasur qeveria. Nuk dallon aspak në qëndrimet e dëmshme që kemi parë ndaj qeverisë”, përfundon Hoti./kp