Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të VV’së, çka thanë Kurti e Konjufca

by Nexhat

Dje është mbajtur mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes. Kryetari i saj, njëherit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se VV gëzon përkrahje të madhe qytetare dhe se do të synojë të arrijë edhe gjysmë milioni vota në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kurti ka thënë se në zgjedhje do të shkojnë bashkë me GUXO dhe Alternativa dhe se synimi është të fitohet një shumicë e qëndrueshme.

“Në zgjedhjet e ardhshme fillojmë nga vija zero. Të gjithë duhet të punojmë t’i mbledhim rreth gjysmë milioni vota. Të mos llogarisim se i kemi ato vota të 14 shkurtit 2021. Të gjithë partitë fillojnë nga zero”, ka deklaruar Kurti.

Kurti iu tha bashkëpartiakëve që të jenë “të vëmendshëm” se do të ketë fushata shpifëse për ta minimizuar “mbështetjen masive” që po gëzon Qeveria e tij.

“Ne duhet të jemi po ashtu të vëmendshëm që këtë mbështetje masive që po e gëzon Qeveria e Kosovës nga qytetarët – dhe do të thotë pashmangshëm edhe Lëvizja Vetëvendosje si drejtuese e saj – do të tentojnë sikurse janë duke tentuar që ta zbehin e minimizojnë përmes formave nga më të ndryshmet e më së shumti e më së shpeshti përmes fushatave të shpifjeve dhe të pavërtetave dhe të nxitjeve dashakeqe”.

Megjithatë, thotë Kurti, qytetarët “po i besojnë drejt situatave”.

“Pavarësisht këtyre përpjekjeve për të shtrembëruar të vërtetat dhe për ta zbehur punën e Qeverisë, të cilat janë të shumta në numër e të gjera për nga ndikimi në popull, qytetarët megjithëkëto po i besojnë drejt situatave sepse populli po i përjeton në përditshmëri ndryshimet e gjithëmbarshme, pozitive e progresiste që po shënon Republika jonë. Këtyre tendencave e përpjekjeve për manipulim ne i kundërpërgjigjemi më së miri me punë e me angazhim dhe i ballafaqojmë më së miri me mobilizim dhe aktivizim”, tha Kurti.

Ai foli edhe për “fqinjin agresor”, duke thënë se udhëheqja e Serbisë së sotme në krye me Aleksandar Vuçiqin ka mbetur prapa në kohë dhe Serbinë e quajti shtetin më kiç në Europë.

“Kam dal bukur moti nga burgu tashmë, por udhëheqja e Serbisë nuk ka dalë ende nga koha kur unë kam qenë në burg. Mbase burgu nuk është vetëm me grila. Serbia nuk po e respekton marrëveshjen bazike të cilës ia ka shkelë 8 nga 11 nene ngjashëm qysh nuk respekton dhe nuk zbatohet aneksi 7 i Marrëveshjes së Dejtonit, Marrëveshja e Konçulit nga viti 2001 apo dakordimet nga Brukseli para një dekade e më shumë si p.sh për kthimin e kadastrit, njohjen e diplomave ose vendosjen e pikave kufitare”.

Kurti tha se Vuçiq do që të kthehet edhe në kohën kur ai ishte në burg apo edhe para se të fitojë Qeveria e tij.

“Presidenti i Serbisë disa herë ka thënë që ai nuk do ta nënshkruajë kurrë kapitullimin e Serbisë. Në fakt, nuk ka nevojë ta bëjë këtë. Kapitullimin tashmë e kanë nënshkruar dy gjeneralë serbë në Kumannovë më 9 qershor 1999. Vuçiq po do që të kthehet prapa në kohë herë para vitit 1999 kur Kosova u çlirua, herë para vitit 2008 kur u shpall pavarësia e Kosovës, herë para vitit 2021 kur u zgjodh Qeveria jonë. Madje nganjëherë ai dëshiron të kthehet edhe para fundit të vitit 2001 kur unë u lirova nga burgu i Nishit”.

Kurti iu drejtua bashkëpartiakëve që ndjekin lajmet e zhvillimet, duke iu thënë se shohin si është bërë Serbia sot.

“Para një çerekshekulli nga politika dhe gazetaria atje ishte dyshja Zoran Gjingjiq dhe Sllavko Çuruvija dhe tani pasi që i vranë atë dy janë Aleksandar Vuçiq dhe Zhelko Mitroviq. Serbia është shteti ma kiç në kontinentin europian, i padurueshëm për intelektualët dhe të ndershmit. Presidenti i Serbisë akuzon Qeverinë tonë se dëshiron t’i dëbojë serbët nga Kosova. Në fakt, serbët janë shumë më të sigurt në Kosovë sesa në Serbi. Atje ka shumë dhunë vrastare në televizion, në shtëpi dhe në shkolla. Në Serbi emisionet debutuese janë përplot me kriminelë të luftës”.

Kurti ka thënë se Serbisë duhet t’i ndërpritet ndihmesa aktuale dhe ajo e ardhshme nga BE, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar.

Gjithashtu Kurti ka thënë se duhet të sanksionohen të gjithë ata që bashkëpunojnë me personat të cilët janë të futur në listën e zeze nga SHBA.

Përveç tjerash, Kurti ka kërkuar edhe kthimin e zonës së sigurisë kufitare prej pesë kilometrave në mes të Kosovës dhe Serbisë meqë thotë se Serbia po e keqpërdor heqjen e saj që kishte ndodhur në vitin 2001

Albin Kurti ka folur edhe për situatën ekonomike në vend e nivelin e papunësisë.

Sipas Kurtit, Kosova sot ka më 75 mijë më shumë të punësuar sesa kur LVV e kishte marrë pushtetin dhe sipas tij, kjo s’do të ishte e mundur nëse s’do të kishte pasur rritje ekonomike.

“Kjo vjeshtë e gjen Kosovën me 425 mijë të punësuar, ndërsa kur filluam qeverisjen Kosova kishte 350 mijë të punësuar. Këta 75 mijë më shumë të punësuar, nuk do të arriheshin pa u rritur ekonomia”, ka thënë Kurti.

Ai tutje ka shtuar e GDP është rritur për 33 %, buxheti për 35 % dhe të hyrat tatimore janë 40 % më shumë se në vitin 2021. Gjithashtu ka deklaruar se gjatë qeverisjes së tij është rritur paga minimale dy herë.

“Bruto produkti vendor është rritur për 33%, ndërsa buxheti për 35 %. Të hyrat tatimore sivjet janë pothuajse 40 % më shumë se sa në vitin 2021, pra po krahasohemi me veten tonë. Eksportet janë dyfishuar, e investimet e huaja më shumë se dyfishuar”, ka thënë kryeministri Kurti, pa përmendur fare nivelin e importeve.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili është edhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, u ka bërë thirrje bashkëpartiakëve të tij që të heqin “çdo dilemë me njëri-tjetrin” para se të hyjnë në garën zgjedhore, të cilën ai e quajti “betejë” në fillim.

Ai tha se kjo mbledhje e Këshillit mund të jetë e fundit “para se të shkojmë në betejë, sepse zgjedhjet janë njëfarë beteje”.

“Disa gjëra të rëndësishme kur njeriu niset në betejë. Është një gjendje e caktuar shpirtërore. Kur jemi në përgjegjësitë tona, mund të na ndodhin probleme e defekte, nuk po them që s’kemi bërë gabime ndonjëherë, mund të bësh lëshime. Relacionet pastaj ndërnjerëzore e marrin njëfarë forme jo bash të këndshme kur ka aso veprime. Mirëpo, krejt këto marrin fund kur jemi duke u përgatitur për të shkuar në betejë. Atëherë duhet të transformojmë gjendjen shpirtërore dhe të hyjmë në një modus tjetër të funksionimit”.

Konjufca tha se ka nisur këtë proces të “transformimit” vetë.

“E para që ne t’i heqim çdo dilemë të mundshme që e kemi me njëri-tjetrin. Neve na duhet një paqe dhe një dashuri shumë e sigurt me njëri-tjetrin sepse jemi po këta që e kemi pru Lëvizjen Vetëvendosje në subjektin më të madh në Kosovë”.

Konjufca tha se me qeverisjen e Vetëvendosjes dhe me veprimet e saj para se të vijë në pushtet ka hyrë në historinë e vendit dhe se kanë “lënë gjurmë që do të jetojnë vite prapa kur nuk do të jemi edhe vetë.

“Ne përmes veprimeve tona, Lëvizja Vetëvendosje tashmë është bërë pjesë e historisë. E ka formësuar Kosovën me veprimet e veta, prej vitit 2005 gjatë rezistencës tonë gjatë kundërshtimit të proceseve negative, kryesisht negociatat me Serbinë, luftimin shumë të fuqishëm të korrupsionit e pastaj me arrit me bë Qeverinë dhe me marrë vendime për Kosovën, pra kjo i bie që je pjesë e historisë”.

Konjufca tha se kërkon nga bashkëpartiakët e tij një mobilizim të madh për t’iu përgjigjur kundërshtarëve politike në zgjedhjet e shkurtit.

Ai tha se këta kundërshtarë politikë e kanë një strategji të tyre – atë që Konjufca e emëroi “strategji e gërryerjes” që t’ia marrin Vetëvendosjes nga 1-2 përqind për muajt e mbetur deri në zgjedhje.

“Pse unë po kërkoj prej juve një mobilizim me vullnet të çeliktë dhe shumë të fuqishëm? E kërkoj sepse po e shihni strategjinë – unë mendoj që kundërshtarët politikë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë një strategji që unë po dua ta quaj strategjia e gërryerjes. Çka i bie kjo? Kanë mbetur edhe katër muaj, për çdo muaj me mund me ia heq Lëvizjes Vetëvendosje ka 1 ose 2 përqind. Ata po mendojnë që e arrijnë mendimin e tyre. Pse kështu? Sepse atëherë krijohet një situatë politike, një gjendje e re politike e cila i vendos në pikëpyetje një arritje që unë konsideroj që ka qenë shumë e madhe e 14 shkurtit.

Konjufca tha populli i Kosovës është “inteligjent” meqë me një votë mbi 51 përqind për Lëvizjen Vetëvendosje ka hequr nga ekuacioni Listën Srpska, rrjedhimisht Beogradin.

“Çka ka arritur 14 shkurti? Me vetë faktin që populli ka votuar 25 përqind menjëherë e ka hequr prej ekuacionit Listën Srpska populli. Me automatizëm. D.m.th e ka hequr nga ekuacioni Beogradin. Kjo është një arritje kombëtare e paparë në Republikën e Kosovës, e cila ka ndodhur në vitin 2021 dhe këto e ka bërë populli jo thjesht VV. Ajo e ka prezantuar konceptin”

Kryetari i Kuvendit tha për opozitën se po e kritikojnë pushtetin aktual të Vetëvendosjes për korrupsion, ndërsa vetë janë rrëzuar nga “korrupsioni i tyre”.

“Këta i ka rrëzuar korrupsioni dhe qata janë që po na folin kundër korrupsionit, qata që i ka rrëzu korrupsioni, korrupsioni i vet se thonë zullumi këputet prej trashi”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy