“75 mijë vende pune”, Kurti del edhe me këtë konstatim: Jemi Qeveria e parë që s’u përball me protesta për punë

by Nexhat

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e tij është e para e pasluftës ku s’pati protestë në të cilën u shfaq parulla “Duam punë”. Sipas Kurtit, kjo ndodhi për shkak të vendeve të reja të punës gjatë mandatit të tij.

“Jemi Qeveria e parë në Kosovën e pasluftës ku nuk ka pasë asnjë protestë të vetme në të cilën figuron parulla “Duam punë”. Duam paga më të larta – sigurisht. Kushte më të dinjitetshme të punës – padyshim, por “Duam punë” nuk ka më parulla.  Dhe kjo besoj që është pasojë e drejtpërdrejtë e 75 mijë vendeve të reja të punës në 425 mijë nga 350 mijë sa ishin në pranverën e vitit 2021”, tha sot Kurti

banner

Këtë deklaratë ai e bëri në Konferencën për Turizmin e Qëndrueshëm, e cila u organizua nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Ai lavdëroi Kosovën si vend për investitorët e jashtëm dhe fuqinë punëtore të vendit, veçanërisht rininë dhe “shumëgjuhësinë” e saj.

“Kosova është një destinacion tërheqës dhe i favorshëm për investime me një popullsi të re dhe dinamike vendi ynë ka potencial për t’u shndërruar në një qendër rajonale për investime dhe transfer të proceseve të biznesit.  Disa nga faktorët që e mbështesin këtë potencial përfshijnë stabilitetin institucional të vendit tonë që është i shoqëruar me fuqizimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit, pastaj afërsia me tregjet e Europës perëndimore që ofron mundësi të jashtëzakonshme për tregti dhe investime, mandej rritja ekonomike mesatare prej 6.2% gjatë këtyre dy viteve të fundit, e cila tregon një trend pozitiv në zhvillimin ekonomik, pastaj zhvillime i projekteve infrastrukturore”, tha Kurti, duke listuar edhe arsye të tjera.

“Dhe rinia e madhe e cila është e kombinuar me ekspertizën, shumëgjuhësinë e saj dhe vullnetin e mirë të mërgatës sonë padyshim që përbën element të fuqishëm për bazë të fuqishme për zhvillim të mëtutjeshëm”.

Kurti tha se përfundimi i plotë i mandatit të Qeverisë së tij është shenjë e një stabiliteti politik në Kosovë.

“Investitorët – siç e dimë të gjithë – kërkojnë parashikueshmëri, konsistencë dhe shpejtësi në shërbime me sa më pak burokraci që të jetë e mundur. Për fat të mirë, tash si ekzekutiv jemi Qeveria e parë, e cila do të përfundojë një mandat të plotë, një tregues i qartë i stabilitetit institucional e politik, por edhe i besimit që kemi ndërtuar në proceset tona demokratike e zhvillimore. Një aspekt tjetër që dua të theksoj është politika “friendshoring”, një mundësi që po konsiderohet gjithnjë e më shumë nga prodhues të ndryshëm për t’u rialokuar në rajonin tonë sa më larg prej zonave të ndryshme të konflikteve apo të tensioneve dhe padyshim që kjo ofron mundësi të shkëlqyer për Kosovën”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy