Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar pas publikimit të një audio-incizimi tjetër që u publikua sot në media ku ajo dëgjohet duke folur me Milan Radojçiq, i akuzuar kryesor për rastin Banjska dhe të sanksionuarin e ShBA-së.
Në audio-incizim, dëgjohet se ata diskutojnë për Ligjin për Pagën Minimale dhe zgjedhjen e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese.
Kica-Xhelili ka përmendur sulmet e pushtetit ndaj Kushtetueses, duke thënë se “me Listën Serbe e paskan koordinuar kush zgjedhet gjyqtar e kush jo”.
“Këta nuk e kanë problemin e koordinimit me Listen Serbe, e kanë me ZBULIMIN se po koordinohen. Koordinohen me ta për veteran, për pagë minimale, për gjyqtarë të Kushtetueses e kushedi çka tjetër që nuk është inçizuar. Kosova e njerëzit e saj të mirë nuk meritojnë kaq shumë manipulim e gënjeshtra. Për besë nuk e kemi luksin t’i vrajmë ëndrrat tona kaq brutalisht”, ka shkruar tutje Kica-Xhelili.
Në fund, Kica-Xhelili ka thënë se Kosova e meriton “një lider si Lumir Abdixhiku”.
“Kosova e meriton një lider që ka tjetër vizion. Një që njihet që e mban fjalën, pavarësisht vështirësive. Një lider si Lumir Abdixhiku që nuk e fokuson krejt punën në kalkulime manovrash e brohoritjesh elektorale. Lider që i sheh qytetarët si bashkërrugëtues, e jo analfabetë. Një që ka ide të SAKTA zhvillimore, e që shpon përtej ambicieve të varfra që i ka instaluar kjo qeveri në mendjet e secilit”, thuhet në postimin e saj.