Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, është pyetur për aksionin e djeshëm të Policisë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastruktuës, ku u arrestua zv/inspektori i përgjithshëm i kësaj ministrie, Izedin Bytyqi ndërsa i dyshuari tjetër nuk është gjetur në vendbanimin e tij.
Para se të japë një përgjigje, Kurti u përkujdes të mbajë një ligjëratë mbi atë se të kujt janë ministritë dhe prej nga vjen fjala “ministër”.
Për Bytyqin ai tha se punon në institucionet e Kosovës qe dy dekada, por tha se nuk mund të japë gjykime përmbajtjesore pasi sipas tij mungon informacioni.
“Së pari ministria nuk është e Liburn Aliut, Liburn Aliu nuk ka ministri. Ai është vetë ministër në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ministria është në kuadër të Qeverisë së Kosovës. Që të gjithë ne jemi këtu punëtorë, nuk jemi pronarë, jemi shërbyes asnjëri. Fjala ministër vjen prej latinishtes që do të thotë shërbëtor, prandaj s’jemi pronarë, ministria e këtij ose atij, kjo s’është dashur të jetë asnjëherë por ndoshta për shkak të së kaluarës kur edhe ashtu është dukur sepse ashtu janë sjellur, kanë ngelur këto keqkuptime. Tash personi i parë i arrestuar është një zyrtar i cili punon në institucionet e shtetit të Kosovës që prej dy dekadave dhe unë nuk kam informacion se për çfarë janë hetuar, arrestuar e përndjekur, nuk e di këtë gjë por unë besoj që gjithçka do të sqarohet sepse drejtësia do të veprojë ama nuk mundem në kushtet kur mungon informacioni, përveç imazheve që shfaqen në media tona, të japë tash gjykime përmbajtjesore, e kam të pamundur”, tha ai