Kurti tha se po synojnë ta kthejnë një objekt të Leposaviqit në maternitet, Petkoviq: Po mbyllet Qendra për Punë Sociale, informova Lajçakun

by Nexhat

Mëngjesin e sotëm, kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtorin e Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, shkuan në komunën e Leposaviqit për të ngritur çështjen e mungesës së një materniteti atje. Bashkë edhe me kryetarin Lulzim Hetemi dhe nënkryetaren Marina Bogojeviq, ata vizituan një objekt për ta parë nëse është e mundshme që ai të kthehet në maternitet.

“Jemi të interesuar që këtë objekt të zbrazët dhe i cili i është nënshtruar dëmtimit të vazhdueshëm, ta rinovojmë, duke e shndërruar në lindtore, në maternitet për qytetarët e kësaj komune, të cilët fatkeqësisht detyrohen që lindjet e grave të tyre të shkojnë me dhjetëra kilometra larg në Novi Pazar, të kalojnë kufirin dhe të lindin atje. Andaj, është e rëndësishme që të ketë një maternitet në Komunën e Leposaviqit edhe për këtë kemi ardhur këtu,” tha Kurti atje.

Kurti nuk tregoi për cilin objekt bëhet fjalë.

Megjithatë, kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, reagoi ndaj këtij zhvillimi, duke thënë se Kurti po “synon mbylljen e Qendrës për Punë Sociale në Leposaviq” dhe për këtë vazhdoi të thoshte se kjo është pjesë e një “politike antiserbe që bëhet pas shpinës së serbëve më të cenueshëm në Kosovë”.

Petkoviq ka thënë se “në këtë mënyrë Kurti dëshiron të lërë në rrugë pa asnjë të ardhur apo ndihmë mbi 1500 shfrytëzues të llojeve të ndryshme të ndihmës sociale, për të cilët kjo është me rëndësi jetike”.

“Pas mbylljes së Autoriteteve të Përkohshme, heqjes së dinarëve, mbylljes së Postës dhe Bankës Poštanska štedionica, Kurti tani ka goditur më të rrezikuarit, ata që nuk mund të mbijetojnë pa ndihmën e rregullt mujore sociale, për të cilët ndihma sociale nga shteti i Serbisë janë të ardhurat e vetme, invalidët, fëmijët pa kujdes prindëror, të sëmurët, të pafuqishmit dhe të moshuarit”, tha Petkoviq, sipas Kosovo Online.

Petkoviq vazhdoi propagandën se “kjo është fytyra e vërtetë e regjimit të Albin Kurtit, urrejtja e zhveshur dhe fshirja e çdo gjëje serbe në Kosovë dhe nëse ai fillon ta zbatojë planin e tij, do të çojë në një valë të re emigrimi të serbëve nga këto treva, veçanërisht nga komuna e Leposaviqit”

“Prandaj edhe sot nuk ka çfarë të kërkojë në Leposaviq dhe shpall disa maternitete, sepse kudo që shkon i sjell popullit serb vetëm fatkeqësi. Serbët kanë maternitetet e tyre dhe spitalet e tyre,” shton ai

Petkoviq ka theksuar se për “qëllimet e Kurtit” e ka njoftuar emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, bashkësinë ndërkombëtare dhe vendet anëtare të BE-së.

“Në gjithë botën rastet sociale janë kategori të mbrojtura të popullatës, ata gëzojnë një nivel të veçantë të të drejtave, vetëm serbët e cenueshëm në Kosovë nuk kanë të drejta dhe Kurti dëshiron t’i heqë të drejtën dhe t’i shtypë në sytë e bashkësisë ndërkombëtare”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy