Mediat italiane raportojnë se ka përfunduar puna për qendrat e emigrantëve në Shqipëri që ashtu siç është parashikuar dhe në marrëveshjen mes dy qeverive do të jenë nën juridiksionin italian. Kampi i Gjadrit, zona e parë i pritjes në portin e Shëngjinit, ishte gati dhe është dorëzuar të mërkurën për testim.
Në të është ndërtuar një qendër për qëndrimin e azilkërkuesve me 880 vende, një qendër spitalore me 144 vende dhe një burg 20 vende
Brenda një jave ambientet do të hapen për të akomoduar personat e parë që do t’i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara kufitare.
Marrëveshja e nënshkruar vitin e kaluar nga Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama do të zgjasë për 5 vite ndërsa parashikon që Shqipëria të presë mijëra azilkërkues në emër të Italisë, deri në 3 mijë emigrantë të marrë nga Roja Bregdetare Italiane në ujërat ndërkombëtare çdo muaj
Qendrat do të strehojnë vetëm burra të rritur. Njerëzit që konsiderohen të pambrojtur gra, fëmijë, të moshuar dhe ata që janë të sëmurë ose viktima të torturës do të strehohen në Itali. Familjet gjithashtu nuk do të ndahen. Ata që dërgohen në Shqipëri do të ruajnë të drejtën e tyre sipas ligjit ndërkombëtar dhe të Bashkimit Evropian për të aplikuar për azil në Itali dhe për tu trajtuar kërkesat e tyre atje.
Me çdo kërkesë që kërkon rreth një muaj për tu përpunuar, numri i njerëzve të dërguar në Shqipëri mund të arrijë në 36 mijë në një vit./A2 CNN