Nga Qeveria Kurti ia kanë bërë sërish të qartë Përparim Ramës, se nuk do ta ketë nënshkrimin e tyre për kredinë lidhur me ndërtimin e Unazës së Jashtme të Kryeqytetit. Kostoja aktuale, 350 milionë euro, për ta është “jashtëzakonisht e lartë”. Ekzekutivi ka dhënë ide tjetër si mund të realizohet ky projekt. Komuna është e vendosur të shkojë me planin aktual. Nënkryetari Zogaj ka thënë për Express se kostoja nuk është e lartë për benefitet që jep unaza.
Ministria e Financave në krye me Hekuran Muratin nuk e ka në plan t’ia jap nënshkrimin që i nevojitet Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramës, për marrjen e kredisë për ndërtimin e Unazës së Jashtme. Vlera e këtij projekti është 350 milionë euro.
Për Muratin, kjo shumë është shumë e lartë dhe arsye pse s’po e vë firmën. Mendim të njëjtë ndan edhe kolegu e bashkëpartiaku i tij, Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Aliu ka thënë se ky problem mund të zgjidhet në tjetër mënyrë, duke përmendur mundësinë që të ndahet buxhet e të ndërtohet segment pas segmenti.
“Vlerësimi financiar i projektit të unazës, ka pas mosmarrëveshje mes të gjitha palëve këtu. Pse? Kostoja ka qenë shumë e lartë. Përndryshe, projekti me gjithë shpronësim të unazës me atë kosto është jashtëzakonisht shumë i madh. Problemi mund të zgjidhet në mënyra tjera. Ne mundemi me nda edhe buxhet me ndërtu segment pas segmenti. Duhet me u marrë vesh, me u ulë me ta, edhe me Kryetarin e Prishtinës edhe me krejt”, ka thënë Aliu para një jave.
Nga Komuna e Prishtinës janë të vendosur që projekti të realizohet me planin aktual.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, i ka thënë Gazetës Express se kostoja nuk është e lartë për benefitet, e duke theksuar se koston e bartë komuna e jo qeveria.
Sipas Zogajt, nuk është nevoja që ky projekt të ndërtohet me fonde vetanake.
I pyetur nëse ka ndonjë sinjal nga MFPT’ja për dhënien e nënshkrimit, Zogaj ka thënë se s’ka ndryshim qëndrimi.
“Jo nuk ka asnjë ndryshim qendrimi nga MF dhe nuk ka ndonjë sinjal për nënshkrim të Kredisë. Kostoja nuk është e lartë për benefitet që i jep Unaza. Plus koston e bartim ne si Komunë. Ne po marrim kredi nga EBRD. Nuk ka nevojë që Unaza të ndertohet me fonde vetanake, kur ekziston zotimi i EBRD për kredi”, ka deklaruar Zogaj
Kryetari Rama ka sqaruar disa herë senuk po i kërkon mjetet për këtë projekt nga Qeveria, por vetëm një garancion për të marrë kredi të butë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
“Unë edhe nuk i kërkoj 300 milionë nga Qeveria. Ne e kemi praktikisht marrëveshje me ERBD (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim), duhet vetëm një “tick” prej ministrisë për me na leju me marrë këtë kredi të butë”, ka sqaruar Rama.
Ai ka theksuar se pagesa e kredisë bëhet nga komuna në 10-15 vitet e ardhshme.
“EBRD kërkon garancion të nivelit të lartë qeveritar, edhe vetëm kjo duhet, pra një garancion. Ne e paguajmë si kryeqytet sepse atë mundemi me shtri për 10 vitet e ardhshme, për 15 vitet e ardhshme. Dmth duhet vetëm ai tick për arsye se këtë e kërkon ERBD’ja me na e lëshu këtë fond”, ka deklaruar Rama
Për këtë projekt ishte deklaruar edhe ish-Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, i cili kishte thënë se do të ishte e lehtë sikur problemi të ishte te vetëm një nënshkrim i Muratit për këto 350 milionë euro.
Mustafa i kishte thënë se këtij akti duhet t’i paraprijnë projektet dhe bilancet buxhetore të afatizuara dhe të aprovuara nga Qeveria, Kuvendi i Kosovës si dhe Kuvendi i Prishtinës. Pa këto vendime, Mustafa kishte thënë se i gjithë projekti mbetet vetëm “vizatim”.
I pyetur nëse shuma e paraparë për këtë projekt është e lartë, Mustafa kishte thënë se s’mund të flas për këtë, por se projekte të tilla s’mund të përballohen vetëm nga buxheti i kryeqytetit.
“Projektet e mëdha siç është unaza e Prishtinës s’mund të përballohen vetëm nga buxheti i kryeqytetit. Është e natyrshme dhe e nevojshme që të ketë përkrahje nga qeveria qendrore. Nuk mund të flas për shumat, sepse bilacet e investimeve rrjedhin nga projektet që duhet të vlerësohen në rastin konkret edhe me qeverinë e vendit. Do të ishte lehtë sikur problemi të ishte vetëm te ministri i financave, se a e vë ai nënshkrimin për 350 milionë euro. Por, këtij akti duhet ti paraprijnë projektet dhe bilancet buxhetore të afatizuara dhe të aprovuara nga Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës si dhe Kuvendi i Prishtinës. Pa këto vendime mund të kënaqemi vetëm me vizatime!”, kishte deklaruar Mustafa