Një person ka vdekur si pasojë e plagëve të marra nga shpërthimi i një cisterne mëngjesin e datës 11.10.2024 në rrugën “Tahir Zemaj” në Pejë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Ajo çfarë mund të konfirmoj është se për shkak të shpërthimit tani kemi një viktimë në vendin e ngjarjes. Nuk kemi ende diçka konkrete se cila ka qenë arsyeja e shpërthimit. Ekipet relevante, kryeprokurori, prokurorja e Pejës policia, zjarrfikësit janë në vendin e ngjarjes”- tha Nikçi për KALLXO.com.
Sipas tij janë duke u kryer ekzaminimet në vendin e ngjarjes.
KALLXO.com raportoi për shpërthimin në regjionin e Pejës.
“Në orën 09:14 në rrugën “Tahir Zemaj”, rruga që shpien në drejtim të Deçanit te varrezat e qytetit ka ndodhur një shpërthim. Po dyshohet se një cisternë ka shpërthy. Të shohim tash, krejt njësitë kompetente janë në vendin e ngjarjen. Është njoftu prokurori i shtetit”- tha Fadil Gashi për KALLXO.com.