Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prziren, në gjykimin ndaj të akuzuarit Shefki Asllani, eksperti i Forenzikës Psikiatrike, Arsim Gashi, tha se gjatë ekspertizës tek i akuzuari kanë konstatuar aftësi të zvogëluar mendore si rezultat i reagimit të stresit të intensitetit të lartë.
Në këtë rast, i pandehuri Shefki Asllani po akuzohet se pas një fjalosje verbale lidhur me rritjen e fidanit të fikut vije deri tek konflikti fizik, ku së pari tani i ndjeri V.F., e godet me gërshërë të pandehurin në kokë dhe i shkakton plagë, ndërkaq i pandehuri Shefki Asllani nxjerr revolen dhe e godet viktimën, i cili ndërron jetë si pasojë e lëndimeve të marra, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Sa i përket aftësisë mendore, te rasti konkret kemi përcaktuar aftësi të zvogëluar mendore si rezultat i reagimit akut të stresit të intensitetit të lartë, frikë kjo e përkohshme, që do të thotë frikë e përkohshme që zgjatë vetëm derisa personi i ekzaminuar në këtë rast largohet nga rreziku, kurse sa i përket nivelit të uljes së aftësisë mendore, kemi të bëjmë me zvogëlimin e aftësisë në shkallën esenciale”, tha Gashi.
Eksperti Gashi tha se kanë konstatuar se stresi i përjetuar nga i akuzuari ka qenë i nivelit të lartë, pra stres akut.
Gashi tha se në bazë të asaj që kanë shqyrtuar nga shkresat e lëndës, as viktima dhe as i akuzuari nuk kanë pasur ndonjë të shkuar kriminale. Sipas tij, i akuzuari dhe i dëmtuari nuk kanë pasur mosmarrëveshje më herët.
“Janë përshkruar si persona të qetë dhe familjarë, dhe kur personi gjendet në një situatë të tillë pa ndonjë përgatitje, niveli i stresit është shumë më i lartë, dhe ky nivel i stresit dëmton logjikën e të menduarit”, tha Gashi.
I pyetur nga prokurori Genc Nixha se a ishte stresi i përmendur në proporcion me veprimin, eksperti tha se po flasim për stresin akut të intensitetit të lartë, ku dëmtimet në aspektin mendor janë të larta dhe personi nuk mund të jetë në gjendje të bëjë reagime të balancuara, karshi rrezikut që i afrohet.
Gjithashtu, Gashi tha se në rastin konkret, kanë përcaktuar aftësi të zvogëluar mendore si rezultat i stresit akut me intensitet të lartë, dhe në aspektin e nivelit të uljes së aftësisë mendore kemi të bëjmë me zvogëlimin e aftësisë në shkallën esenciale.
Kurse, dy ekspertet tjera nga fusha e Forenzikës Psikiatrike, dr. Blerina Hoxhaj-Gjuraj, psikologia Blerta Veselaj, kanë deklaruar se përpilimin e ekspertizës e kanë bërë në mënyrë ekipore dhe qëndrojnë plotësisht prapa ekspertizës së dorëzuar me shkrim.
Ndryshe, kjo çështje penale, me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), më 19 nëntor 2022, është transferuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në Gjykatën Themelore në Prizren. Përveç rastit të të akuzuarit Asllani, kjo Gjykatë kishte pranuar edhe 8 raste të tjera të natyrës penale në Departamentin e Krimeve të Rënda
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 28 tetor 2021, kishte ngritur aktakuzë kundër Shefki Asllanit, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.5 të Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Asllani, më 17 prill 2021, rreth orës 12:40, në Mitrovicë, në rrugën “Adem Voca”, në brendi të Tregut të Gjelbër, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin V.F., në atë mënyrë që pas një fjalosje verbale lidhur me rritjen e fidanit të fikut, vije deri te konflikti fizik, ku së pari tani i ndjeri e godet me gërshërë të pandehurin në kokë dhe i shkakton plagë shqyese në regjionin e kokës, me ç‘rast i pandehuri nxjerr revolen nga brezi dhe shtie në viktimën, duke e goditur në pjesën e përparme të trupit, e si pasojë e lëndimeve vdes.
Në aktakuzë, po ashtu thuhet se si pasojë e të shtënave të të pandehurit janë plagosur edhe i dëmtuari, Lutfi Fazliu si dhe kalimtari i rastit Agim Abdullahu.