Më 3 shtator 2024, Egzon Azemi i Lëvizjes Vetëvendosje doli në gjyq i akuzuar për sulm ndaj policëve të Kosovës.
Ky sulm, gjithherë sipas Prokurorisë, kishte ndodhur në vitin 2015, kur Lëvizja Vetëvendosje po protestonte kundër demarkacionit me Malin e Zi dhe Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Egzon Azemi, bashkë me Kushtrim Avdimetajn, Veron Hasanin, Luan Hotin, Ardian Hulin dhe Naim Bunjakun, akuzohen se gjatë protestës kishin sulmuar policët e Kosovës, duke i goditur me gurë, pllaka betoni dhe mjete tjera të forta.
Si pasojë e kësaj, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës u janë shkaktuar lëndime të lehta trupore, ku të dëmtuar kishin mbetur Ismail Sadiku, Ekrem Vllasa dhe Naim Berisha. Ky i fundit, si palë e dëmtuar, po përballej me Egzon Azemin, që sipas Prokurorisë, e kishte sulmuar para gati 9 vjetëve.
Armiqësia e tyre në rrugë para gati 9 vjetëve, tash që Vetëvendosja është në pushtet, është shndërruar në bashkëpunim në mes Egzon Azemit dhe Naim Berishës.
Në seancën gjyqësore të 3 shtatorit 2024 ndaj Egzon Azemit dhe të tjerëve, për shkak të sqarimit të një rrethane, gjyqtari Eroll Gashi, vendosi për një pauzë dhjetëminutëshe.
Gjatë kësaj pauze i akuzuari Azemi dhe i dëmtuari polici Berisha, shkuan në korridorin e gjykatës për të zhvilluar një bisedë private.
Derisa gazetarët dhe kamerat po qëndronin në sallën e gjyqit duke pritur të vazhdojë seanca gjyqësore, në korridorin e gjykatës, polici Naim Berisha ia kërkoi një favor Egzon Azemit të Vetëvendosjes.
Pasi episodi i emisionit “Betimi për Drejtësi” u përfundua dhe promo u publikua të enjten më 10 tetor ku dëgjohej kërkesa e policit drejt zyrtarit të Vetëvendosjes , pavarësisht shumë kërkesave të heshtura Egzon Azemi u lajmërua për t’u intervistuar.
Gjatë intervistës, Azemi u përsërit duke thënë se kërkesa e policit qenë të degradohet, por nëse ka “ushtrim të ndikimit” është i gatshëm të paraqitet para drejtësisë.
“Edhe siç e përmend ai vetë në intervistë (bisedë), ai thotë unë më pak paguhem, nëse shkon qatje ku ka kërku. Ai kërkon me shku polic i thjeshtë e është një ndër njësitet kryesore”, shprehet Egzon Azemi.
“Absolutisht nuk besoj se ka konflikt (interesi). Thelbin mos e harroni. Pra nuk kërkon ngritje, për arsye familjare kërkon të ulet në pozitë…”, ka thënë Azemi.