Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar pamje të tubimit të mbajtur në Mynih të Gjermanisë.
Ai ka thënë as çlirimi as pavarësia nuk do të arrihej pa mërgatën.
“Afër 120 mijë bashkatdhetarë tanë jetojnë e punojnë në Bavari. Shumë prej tyre jetojnë mes Gjermanisë dhe Kosovës, e secili është urë bashkuese ndërmjet dy vendeve. Lidhja e fortë me vendlindjen dhe atdheun është dëshmuar vendimtare në momentet më kritike, nga lufta për çlirim e deri te përpjekja për pavarësi. As njëra e as tjetra nuk do të arrihej pa mërgatën tonë të çmueshme. Pritja madhështore në Mynih dhe interesimi i lartë për zhvillimet e progresin në vend na tregon se lidhja sa vjen e po forcohet.”
Ai ka thënë se mërgimtarët janë thesarë të njohurive profesionale, mbështetjes politike dhe ndihmës për vendin.
“Fjala ‘schatz’ e kam mësuar prej juve që do të thotë thesar, ndonjëherë përdoret në Kosovë për t’iu përshkruar juve mërgimtarët në Gjermani. Unë do të doja të theksoj se mërgimtarët tanë i konsideroj me të vërtetë thesarë të njohurive profesionale, mbështetjes politike dhe ndihmës familjare për vendin tonë, atdheun tonë”, ka thënë ai
“Ne në Kosovë që nuk e dimë gjermanishten por po e mësojmë nga pak, kemi filluar me i thënë njëri- tjetrit ‘schatz’, por ‘schatz’ i themi vetëm atyre që e duan atdheun fort edhe kontribuojnë”, ka shtuar ai.