Është liruar Sadik Duraku, shtetasi i Kosovës dhe Britanisë së Madhe, që u arrestua më 17 prill të këtij viti në kufirin Kroaci- Serbi.
Lajmin për Express e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njofton që është liruar z. Sadik Duraku, shtetas i Republikës së Kosovës dhe Britanisë së Madhe, i cili ishte arrestuar më 17 prill 2024 në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi në Batrovci, nën akuzat gjoja për krime lufte gjatë periudhës së luftës në Kosovë në vitin 1999.”
MPJD ka thënë se do të vazhdojnë t’i ndjekin nga afër rastet e tilla duke e njoftuar edhe bashkësinë ndërkombëtare “rreth veprimeve arbitrare dhe destruktive të Serbisë të cilat bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.