Lideri i PSD’së, Dardan Molliqaj ka folur për zhvillimet e fundit dhe bisedat e publikuara mes koordinatores së Komiteteve të VV’së Dejona Mijalit me ish-shefin e KEK’ut, Nagip Krasniqi.
Sipas tij, anipse Mihali nuk ka asnjë pozitë zyrtare në shtet qeverisë më shumë se do ministër.
“Dejona Mihali nuk është gogoli grek i kamufluar përmes Shqipërisë. Njëkohësisht, ajo s’ka asnjë pozitë zyrtare në shtet, por qeverisë më shumë se çdo ministër. Ajo tregon kur ndalet rryma, ajo vret e pret nëpër ndërmarrje publike e ministri. Është kështu sepse ajo është Partia që sipas modelit bolshevik i mbivendoset institucioneve”, shkroi Molliqaj në Facebook.
Molliqaj foli edhe për Kusari Lilan, për të cilën tha se është ‘konstantja e servilit që rri në pushtet sepse përshtatet.
“Mimoza Kusari nuk ka kumari me Serbinë. Ajo negocion me Simiqin e Radojçiqin sepse ajo veç një punë e bën: shërben siç ka shërbyer gjithnjë, qeveri pas qeverie, shef pas shefi. Mimoza është konstantja e servilit që rrin në pushtet sepse përshtatet.
Dy vegla, të dyjat mbrohen me çdo kusht sepse bëmat e tyre janë fjala udhëzim e Kurtit. Jo që mbrohen, bëmat e tyre përbëjnë detyrë patriotike. Sepse kur i shërben Liderit i ke shërbyer historisë, e ka për kërthize t’lidhur historinë Lideri. Kjo është fusha e mbyllur politike që s’lejon demokraci. Për demokracinë duhet tjetri, duhet fusha e hapur që s’i garantohet askujt”, shkroi Molliqaj.