Kryeministri Albin Kurti i është gëzuar vendimit për hapjen e kapitujve të parë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Kurti tha se Bashkimin Evropian e kemi qëllim të përbashkët me Shqipërinë, jo vetëm si cak anëtarësimi, por edhe si vlerë e shoqërive tona demokratike, “mirëqenie për qytetarët tanë dhe orientim i dy shteteve tona”.
“Nga ky rrugëtim që Shqipëria po e nis sot pa dyshim që do të përfitojë edhe Kosova jonë në mësime dhe përvoja me të cilat i afrohemi edhe më shumë Shqipërisë e bashkë Bashkimit Evropian”, shprehet Kurti.
Postimi i plotë i Kurtit:
Me vendimin për hapjen e kapitujve të parë për anëtarësim në familjen evropiane, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, nga sot filloi një kapitull të ri e vendimtar.
I gëzohemi fort kësaj arritjeje të Shqipërisë! Urime popullit dhe qeverisë shqiptare! U dëshiroj rrugëtim pa pengesa e progres të bazuar në meritokraci dhe përmbushje të reformave prej të cilave së pari përfitojnë qytetarët dhe vendi.
Bashkimin Evropian e kemi qëllim të përbashkët me Shqipërinë, jo vetëm si cak anëtarësimi, por edhe si vlerë e shoqërive tona demokratike, mirëqenie për qytetarët tanë dhe orientim i dy shteteve tona. Nga ky rrugëtim që Shqipëria po e nis sot pa dyshim që do të përfitojë edhe Kosova jonë në mësime dhe përvoja me të cilat i afrohemi edhe më shumë Shqipërisë e bashkë Bashkimit Evropian.