Kancelari gjerman Olaf Scholz ka premtuar sot “vazhdim të mbështetjes ushtarake për Izraelin”, megjithë luftën gjenocide në Gaza që ka vrarë deri tani 42,200 palestinezë dhe ka zhvendosur më shumë se 2 milionë të tjerë, shkruan rrjeti shtetëror turk Anadolu.
Duke folur në parlament Scholz bënte me faj grupin Hamas për konfliktin, dhe shtoi se Gjermania do të tregojë solidaritetin e saj me Izraelin duke vijuar dërgesat e armatimeve, sipas tij “për t’u siguruar që të jetë në gjendje të mbrojë veten”.
“Kemi dërguar armatime në të shkuarën prandaj po u dërgojmë dhe tani, e do të vazhdojmë të dërgojmë edhe në të ardhmen”, u tha Scholz deputetëve.
Komentet e tij vijnë pas akuzave të mediave në vend se qeveria gjermane kishte rinisur eksportet e armëve drejt Izraelit prej javës që shkoi, pasi kishte marrë garanci nga Izraeli se “armët gjermane nuk do të përdoren për gjenocid”.
Partia e Gjelbër, pjesë e koalicionit të Scholz besohet se ka bllokuar eksportet e armëve të luftës drejt Izraelit në të shkuarën prej shkeljes së ligjit ndërkombëtar të luftës.
Kritikët thonë se mbështetja pa kushte e politikave të Benjamin Netanyahu po dëmton kredibilitetin e Gjermanisë në arenën ndërkombëtare duke e lënë të izoluar.
Izraeli është paditur disa herë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare për veprimet në Gaza, ku përveç të vrarëve ka shkatërruar tërësisht infrastrukturën qytetare dhe banesat e të larguarve./Anadolu/