Iniciativa CorrWatch është shprehur e shqetësuar mbi procedurat e Ministrisë së Mbrojtjes, për furnizim me ushqim për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Përmes një reagimi në faqen e tyre zyrtare, kanë thënë se Ministria e Mbrojtjes ka neglizhuar çështjen e furnizimit me ushqim për FSK-së dhe sipas tyre kjo është një “shkelje e qartë e nenit 35 të Ligjit për Prokurimin Publik”
Më tej, kjo orgaizatë ka theksuar se ministria ka zhvilluar një procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, duke u justifikuar me emergjenca ekstreme.
“Emergjenca e shkaktuar i atribuohet mosveprimeve dhe neglizhencës së MM. Nisur nga kjo konsiderojmë që MM duke zhvilluar procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, duke u thirrur në emergjenca ekstreme, ka bërë shkelje të nenit 35 të LPP-së. E dyta, me kontratë janë shpërblyer OE-të që nuk i kanë plotësuar kërkesat në dosjen e tenderit. Me 15 tetor, MM ka njoftuar se është anuluar ky aktivitet i prokurimit. Megjithatë, në bazë të të gjitha fakteve të shtjelluara më lartë shihet që MM ka dështuar në përmbushjen e obligimeve ligjore”, thuhet në reagimin e tyre.