Berat Rukiqi, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka shkruar në Facebook për raportin e Bankës Botërore.
Ai tha se raporti në fjalë konfirmon dështimin e Qeverisë së Kosovës udhëhequr nga Albi Kurti.
Problematike, sipas Rukiqit janë gjetjet për nivelin e ulë të punësimit, ku vetëm 37.1% e popullsisë në moshe pune punon.
“Punësimi në Kosovë: 2/3 e popullsisë në moshë pune, nuk punojnë. Norma e punësimit në Kosovë është më e ulëta në Evropë, me vetëm 37.1% të popullsisë në moshë pune të punësuar, krahasuar me vendet e rajonit, ku mesatarja është 48.5%, ndërsa në Bashkimin Evropian, ku është 54.5%”, ka thënë ai
Si tjetër problem, ai theksoi rritjen ekonomike që nuk mbërrin normën 4%, gjë që ai shton se nuk garanton zhvillim.
“Rritja Ekonomike: Për vitin 2023, rritja ekonomike e Kosovës është 3.3%, ndërsa për vitin 2024 pritet të jetë 3.8%. Kjo është më e ulët se mesatarja e rritjes ekonomike prej 4% që ishte para pandemisë. Një normë e tillë e rritjes ekononomike, nuk garanton as zhvillim, as vende pune, as investime, as shëndetësi më të mirë, as paga më të mira për qytetarë”, ka vazhduar Rukiqi.
Ai ka shtuar se Kosova sipas raportit ka deficit tregtar 5.2 miliardë euro, duke shtuar se ky është indikator i qartë i mungesës së investimeve.
“Deficiti Tregtar: Kosova është i vetmi vend në rajon ku volumi tregtar ka një ndikim negativ në rritjen ekonomike për shkak të deficitit të lartë tregtar, që arrin rreth 5.2 miliardë. Dyfishimi i deficitit tregtar, për 3 vite të kësaj Qeverie, janë indikator i qartë i mungesës së investimeve, sidomos investimeve në përkrahje të prodhimit dhe eksporteve”.
Tutje, ai përmendi edhe problemin e popullsisë joaktive, ku vetëm 42.7% e popullsisë aktive është pjesë e tregut të punës.
“Popullsia Aktive në Tregun e Punës: Vetëm 42.7% e popullsisë aktive në Kosovë është pjesë e tregut të punës, një shifër që është më e ulëta në rajon (mesatarja rajonale është 54.4%).
Kjo përqindje e ulët lidhet edhe me emigrimin e lartë, si pasojë e liberalizimit të vizave, që ka rezultuar në një largim prej rreth 23,700 personash nga popullsia në moshë pune”, ka thënë ai.
Rukiqi ka thënë se LDK-ja e Lumir Abdixhiku kanë plan për zhvillim ekonomik e krijim të vendeve të punës.
“Nën udhëheqjen e Lumir Abdixhikut, LDK ka një plan praktik për të krijuar vende pune, zhvilluar ekonominë dhe ndaluar ikjen e rinisë sonë. Rruga e Re eshtë rruga e vetme drejt zhvillimit ekonomik, e ndryshimin për Kosovën që e duam do ta sjell LDK”, ka thënë Rukiqi.