Supremja e hedh poshtë kërkesën e Shalës për rishikim të vendimit për mbrojtje të ligjshmërisë që lidhej me paraburgimin e tij

by Merita

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michael Doyle ka njoftuar se Supremja e kësaj gjykate ka hedhur poshtë kërkesën e Haxhi Shalës që ta rishikojë vendimin e saj sa i takon paraburgimit të të akuzuarit kur kishte kërkuar mbrojtje të ligjshmërisë.

Përmes konferencës javore të DhSK-së, Doyle tha se Supremja kishte konstatuar se nuk ka pas shkelje të procedurave kur iu vazhdua paraburgimi Shalës e që pastaj vendimi i njëjtë u konfirmua edhe nga Apeli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

banner

“Në çështjen gjyqësore Januzi dhe të tjerët, Paneli i Gjykatës Supreme hodhi poshtë dje kërkesën e Haxhi Shalës për rishikim të vendimit për mbrojtje të ligjshmërisë që lidhej me paraburgimin e tij. Në shtator, Paneli i Gjykatës Supreme konstatoi se nuk kishte pasur shkelje thelbësore të procedurave nga ana e Gjykatësit të Procedurës Paraprake, i cili fillimisht urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit, ose nga Paneli i Apelit, i cili e konfirmoi vendimin”, tha Doyle.

Zëdhënësi i DhSK-së gjithashtu tha se Trupi Gjykues në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, ka hedhur poshtë edhe një kërkesë tjetër të mbrojtjes për apelim të një vendimi lidhur me pranimin në prova të një dokumenti.

“Më 14 tetor, Trupi Gjykues hodhi poshtë një kërkesë të mbrojtjes për apelim të një vendimi për pranimin si prova të një dokumenti, ku shpjegoi arsyet pse e kishte pranuar atë”, tha Doyle duke shtuar se të njëjtën ditë iu është vazhduar masa e paraburgimit Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Kurse më 15 tetor 2024, sipas Doyle është marrë vendim edhe mbi një kërkesë tjetër të ZPS-së e cila kishte të bënte me pesë dëshmi të dëshmitarëve dhe materialet e tyre shoqëruese.

Sipas Doyle, ZPS-ja kishte propozuar që dëshmitë e tre dëshmitarëve të pranohen me shkrim dhe ata të paraqiten në gjykatë për t’u marrë në pyetje nga palët e tjera gjë të cilën nuk e kishte kundërshtuar mbrojtja. Mirëpo, mbrojtja kishte kundërshtuar disa prova materiale të propozuara.

“Në vendimin e tij, Trupi Gjykues i pranoi si prova disa nga këto materiale dhe hodhi poshtë të tjerat, duke dhënë arsyetimin për secilën prej tyre”, tha tutje, Doyle.

Veç tjerash, lidhur me këtë vendim Doyle tha se në lidhje me dy dëshmitarë ZPS-ja kishte kërkuar që dëshmia e tyre të parashtrohet vetëm me shkrim sipas rregullës 153 për çka mbrojtja kishte parashtruar se këta dëshmitar duhet të merren në pyetje në sallën e gjyqit.

“Për njërin prej dëshmitarëve, gjykatësit konstatuan se dëshmia e tij mund të pranohet sipas rregullës 153, sepse është përgjithësisht përsëritëse dhe konfirmohet nga dëshmitarë të tjerë të cilët Mbrojtja pati mundësi t’i merrte në pyetje, dhe për arsye se nuk lidhet drejtpërdrejt me veprimet dhe sjelljet e pretenduara të të akuzuarve”, tha tutje Doyle

Ndërsa, në lidhje me një dëshmitar tjetër, Doyle tha se është hedhur kërkesa e ZPS-së për të pranuar si provë deklaratat e tij pasi është konstatuar se mbrojtja duhet të ketë mundësinë që të verifikojë besueshmërinë e dëshmitarit dhe se mosdhënia e kësaj dëshmie mund ta dëmtojë mbrojtjen.

Po ashtu, ai tha se më 11 tetor u hodh poshtë edhe kërkesa e mbrojtjes për apelimin e një vendimi për pranimin si prova tri deklarata të një dëshmitari që ka dhënë dëshmi më 28 dhe 29 gusht 2024.

“Në vendim, gjykatësit shpjeguan se konstatuan se deklaratat ishin prima facie relevante, autentike, provuese dhe jo dëmtuese për palët. Trupi Gjykues theksoi gjithashtu se, faktorë si pasaktësitë e pretenduara në deklarata, gjykatësit do t’i marrin parasysh siç duhet gjatë vlerësimit të peshës që do t’u jepet deklaratave në kuadër të tërësisë së provave”, tha Doyle.

Doyle tha se të njëjtën ditë është miratuar një kërkesë e ZPS-së që një dëshmitar të jep dëshmi përmes video-lidhjes për shkak të gjendjes shëndetësore të dëshmitarit e që për këtë kërkesë nuk kishte pasur kundërshtime as mbrojtja.

“Trupi Gjykues gjykoi gjithashtu se dhënia e dëshmisë nëpërmjet video-konferencës mund të ndihmojë kryerjen e shpejtë të procesit”, tha Doyle.

Që procesi të jetë sa më transparent, sipas Doyles në rastin e ish-krerëve të UÇK-së janë bërë disa redaktime për transkriptat e katër dëshmitarëve të mbrojtur.

“Kjo u bë për të garantuar që procesi të jetë sa më shumë publik, në kuadër të përpjekjeve në vijimësi për të bërë publike sa më shumë materiale, duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave”, tha Doyle.

Më 11 tetor 2024, sipas Doyle Administratorja ka njoftuar Trupin Gjykues për përfundimin e emërimit të Peter McCloskey si bashke mbrojtësi Thaçit pas kërkesës së kryembrojtësit që atij të iu përfundohet kontrata si mbrojtës dhe të emërohet si konsulent.

“Mbrojtësi njoftoi Zyrën e Mbrojtjes se ky ndryshim nuk do të ndikonte negativisht në interesat e z. Thaçi ose në kohëzgjatjen e procesit”, tha Doyle.

Vlen të theksohet se Doyle tregoi se gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve pritet të fillojë të hënën më 21 tetor me një orar të ndryshuar nga ai i zakonshmi. Pra, seanca në këtë ditë do të nisë nga ora 13:00 kurse seancat e tjera sipas orarit të zakonshëm.

“Në çështjen gjyqësore Pjetër Shala, versioni i redaktuar publik i njoftimit të rishikuar për apel të Mbrojtjes tani është në dispozicion në faqen e internetit të DHS-së, ku janë paraqitur arsyet për apel. Versioni i parë i njoftimit për apel u dorëzua konfidencialisht më 2 shtator”, tha Doyle kur foli për rastin ndaj Pjetër Shalës.

Veç tjerash, Doyle e përmendi edhe faktin që Haxhi Shala është lejuar që të vizitojë Kosovën me 11 tetor për arsye humanitare, vizitë ngjashëm si ajo e Jakupit janë bërë nën ruajtjen e DhSK-së të mbështetura nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy