Gjermania nderoi të premten presidentin amerikan Joe Biden për kontributin e tij në marrëdhëniet transatlantike, përpara takimeve të tij me aleatët evropianë lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë dhe konfliktin në Lindjen e Mesme. Por zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara hodhën një hije mbi udhëtimin e zotit Biden, vizita e parë dypalëshe në Gjermani nga një president amertikan në gati tetë vjet.
Ndërsa kanë mbetur më pak se tre javë nga zgjedhjet dhe gara është jashtëzakonisht e ngushtë, ka shqetësime se një fitore e ish-Presidentit Donald Trump mund të prishë marrëdhëniet transatlantike që zoti Biden shpreson t’ia kalojë Nënpresidentes Kamala Harris, kandidates demokrate.
Zoti Trump, kandidati republikan, ka lënë të kuptohet se do të vendosë tarifa tregtare ndaj partnerëve kryesorë të sigurisë së SHBA-së. Ai ka shprehur indiferencë ndaj sigurisë së Ukrainës, duke refuzuar të thotë gjatë një debati presidencial nëse dëshiron që aleati i SHBA-së të fitojë në luftën kundër Rusisë. Ai ka hezituar të shprehet për mbrojtjen e anëtarëve të NATO-s nëse ata sulmohen.
Këto shqetësime u reflektuan ndërsa zotit Biden iu dha Urdhri i Meritës i Gjermanisë, një vlerësim i lartë që i është më parë ish-presidentit të SHBA-së, George H.W. Bush për mbështetjen e tij ndaj ribashkimit gjerman. Presidenti gjerman Frank-ëalter Steinmeier e vuri theksin tek interesi i zotit Biden për Gjermaninë që prej më shumë se katër dekadash. Ai tha se miqësia me SHBA-në është “dhe do të jetë gjithmonë e një rëndësie ekzistenciale” për Gjermaninë, por se gjithmonë ka pasur “periudha afërsie dhe distancimi”.
“Madje edhe së fundmi, vetëm pak vite më parë, distanca u thellua aq shumë sa pothuajse e humbëm njëri-tjetrin”, tha zoti Steinmeier, në një aludim për marrëdhëniet e tensionuara gjatë presidencës së zotit Trump. Ai tha se zoti Biden “riktheu shpresën e Evropës tek aleanca transatlantike brenda natës”. “Në muajt në vijim, shpresoj që evropianët të kujtojnë: Amerika është e domosdoshme për ne,” shtoi ai. “Dhe shpresoj që amerikanët të kujtojnë: aleatët tuaj janë të domosdoshëm për ju. Ne jemi më shumë se thjesht ‘vende të tjera’ në botë – ne jemi partnerë, jemi miq.”
Presidenti Biden falënderoi udhëheqësit gjermanë për rolin e tyre në ndihmën ndaj Ukrainës kundër agresionit rus. “Ne nuk mund të dorëzohemi,” tha ai. “Ne duhet të vazhdojmë mbështetjen; Ne duhet të vazhdojmë derisa Ukraina të fitojë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.”
“Ne kurrë nuk duhet të nënvlerësojmë fuqinë e demokracisë, kurrë nuk duhet të nënvlerësojmë vlerën e aleancave”.
Zoti Trump ka thënë se qasja e tij në politikën e jashtme do të ndihmojë ekonominë amerikane dhe nuk do të lejojë vendet e huaja që të përfitojnë nga Shtetet e Bashkuara.
Ai pretendon se nëse do të ishte ende president, Rusia nuk do ta kishte pushtuar kurrë Ukrainën në vitin 2022 dhe Hamasi nuk do ta kishte sulmuar kurrë Izraelin në vitin 2023.
“Unë do t’i jap fund luftës në Ukrainë, do të ndaloj kaosin në Lindjen e Mesme dhe do të parandaloj Luftën e Tretë Botërore,” tha ai në një tubim të fundit në shtetin e Xhorxhias.
Zonja Harris, nga ana e saj, ka shprehur mbështetje të fortë për Ukrainën dhe politikën e zotit Biden për mbështetjen ndaj Izraelit, ndërsa ka vënë theks të veçantë tek nevoja për të lehtësuar vuajtjet e civilëve palestinezë.
Presidenti Biden ka thënë prej kohësh se mesazhi i tij për udhëheqësit e huaj është se “Amerika është rikthyer” dhe është angazhuar me aleatët pas mandatit të zotit Trump.
Presidenti Biden donte të vizitonte Berlinin para se të përfundonte mandati i tij, pasi ka vizituar aleatë të tjerë kyç si Japonia, Koreja e Jugut, Franca, India, Britania, Polonia dhe Ukraina.
Ai u takua gjithashtu me kancelarin gjerman Olaf Scholz, si edhe me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik Keir Starmer./Zeri i Amerikes