Letër e hapur e aktivistit shqiptar nga Medvegja për Vuçiqin: Po ju shkruaj si qytetar i dorës së dytë në Serbi

by Nexhat

Aktivisti shqiptar nga Komuna e Medvegjës, Haki Emini, i ka dërguar një letër të hapur presidentit serb Aleksandar Vuçiq, përmes së cilës ia kë përkujtuar shkeljen sistematike të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në letrën e publikuar nga Komiteti i Helsinkit për të drejtat e Njeriut në Serbi, Emini thënë se ndjehet i obliguar që me rastin e deklaratës së presidentit Vuçiq për protestat në Bujanoc dhe Preshevë më 24 shtator 2024, t’ua tërheq vëmendjen për disa gjëra që mendon se janë në interes të opinionit të gjerë për të mësuar të vërtetën e plotë për to

banner

“Lidhur me akuzat nga pala shqiptare se Serbia po ua shkel të drejtat e tyre njerëzore, ju zgjodhët të pohoni në konferencën për shtyp në Nju Jork se ‘Serbia është një vend demokratik’, dhe se arsyeja e vërtetë pse shqiptarët po protestojnë është fakti se ‘forcat e Kurtit nuk arritën të formojë një qeveri të pavarur’, mbi të gjitha në Bujanoc”

Emini në letër thotë se “duke vepruar kështu, ju e zhvendosët problemin ekzistues, për më tepër, të zjarrtë ndëretnik midis shumicës serbe dhe komunitetit pakicë shqiptar nga sfera ku ai është realisht – siç e dini, bëhet fjalë për shkeljen e të drejtave themelore të njeriut dhe diskriminimin – në sferën e politikës ditore, pra grindjet partiake mes jush dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti”.

“Më duhet t’ua përkujtoj se tashmë ju kam shkruar disa herë për të njëjtin problem, si juve ashtu edhe  organizatave përkatëse ndërkombëtare dhe vendore, por pasi letrat e mia nuk morën asnjë përgjigje (aq më pak se ishin të denja për një përgjigje), nuk do të më shkaktonte shumë problem t’ju prezantoj edhe një herë këndvështrimin tim, por tani si qytetar i dorës së dytë, pasi si pjesëtar i pakicës shqiptare padyshim që nuk jam i barabartë me qytetarët e tjerë të Serbisë. Dhe, ju lutem, mos më fajësoni për përdorimin e formulimeve të hapura dhe të qarta në marrëdhëniet me ju, për të cilat, si viktimë e sistemit juridik serb, mendoj se kam plotësisht të drejtë”, thuhet në letrën e hapur

“Ju kam shkruar disa herë për problemin e pasivizimit të vendbanimit, me të cilin ballafaqohen banorët e Medvegjës me kombësi shqiptare që nga viti 2011, pra tash e 13 vjet. Rezultati është se rreth 90% e shqiptarëve këtu kanë humbur të drejtat e tyre civile. Ky aparteid i heshtur është vetëm vazhdim i politikës së Milosheviqit për persekutim të hapur të shqiptarëve (ju kujtoj se në verën e vitit 1999, në kulmin e konfliktit me NATO-n, Milosheviqi urdhëroi dëbimin e më shumë se 800 mijë shqiptarëve nga Kosova, të cilëve u janë konfiskuar dokumentet e identifikimit nga autoritetet kufitare gjatë daljes nga vendi i tyre)”.

Emini shkruan se “viktimë e metodologjisë së përmendur të ‘fshirjes së identitetit’ ka qenë familja ime dhe unë personalisht, përmes metodës administrative të ‘pasivizimit të vendbanimit’, të cilën e kemi përjetuar në fillim të vitit 2019”.

“Atë vit, gjegjësisht gjatë qëndrimit në Zvicër për punë e përkohshme, nga vëllai mësova se e kisha vendimin për pasivizimin e adresës, që i ishte dorëzuar (edhe pse duhet dorëzuar personalisht, në emër të personit të cilit i drejtohet). Pasi mësova për këtë, fluturova për në Prishtinë me aeroplanin e parë për të bërë ankesë (afati ligjor është 8 ditë), por deri më sot nuk kam marrë përgjigje për ankesën në fjalë. Thelbi i kësaj marrëveshjeje administrative me pasivizimin e vendbanimit është si vijon: edhe pse shtetas të Serbisë që nga lindja, banorët e Bujanocit dhe Medvegjës, të cilët i nënshtrohen pasivimit të vendbanimit, bëhen të huaj në vendin e tyre, të cilët me këtë e humbin mundësinë jo vetëm për marrjen e dokumenteve personale ose zgjatjen e vlefshmërisë së tyre, por edhe qasjen në përdorimin e shërbimeve shëndetësore dhe sociale, si dhe të drejtën për arsimim ose të drejtën e votës. Prandaj, ata janë të privuar nga të drejtat elementare njerëzore dhe qytetare, të cilat u takojnë sipas Kushtetutës së këtij vendi”, shkruan Emini në letrën publike për presidentin Vuçiq

Ai thotë se “kështu më ndodhi që kur u përpoqa të votoja në zgjedhjet e vitit 2020, më refuzuan nga ambasada serbe në Zvicër. Edhe pse i paguaj rregullisht të gjitha taksat për pronën që posedoj në Serbi, më thanë se nuk jam i regjistruar si shtetas i Serbisë. Sigurisht që jam ankuar, por deri më sot nuk kam marrë asnjë përgjigje”.

“I nderuar zoti President! Në konferencën e lartpërmendur për shtyp, ju keni krahasuar edhe gjendjen e demokracisë në Serbi dhe Prishtinë, kështu që thatë: ‘Në vendin tonë, ndryshe nga Prishtina, demokracia është e lejuar (kursivi im), së shpejti do të rindërtojmë një shkollë…’ Në vendet e rregulluara demokracia është e vetëkuptueshme, dhe sa i përket nismës tuaj të lavdërueshme për rindërtimin e shkollës, ndoshta mund të ridrejtoni një pjesë të fondeve për modernizimin e ambulancës shëndetësore, ku dikur kërkoi ndihmë Sokol Ismaili, për rastin e të cilit ju kam shkruar juve dhe Ministrit të atëhershëm i Punëve të Brendshme të z. Nebojsha Stefanoviq”.

Tutje Emini shkruan se “Ismailin e rrahu policia në pragun e shtëpisë së tij, në sy të gruas dhe fëmijëve të tij, por autoritetet gjyqësore të Serbisë jo vetëm që nuk morën mundin ta ndriçojnë rastin, por lejuan të njëjtin polic që e rrahu ta kërcënojë edhe në gjykim, prandaj Sokol Ismaili u detyrua të kërkojë së bashku me familjen azil politik në Zvicër. (Fotografitë e Ismailit të rrahur i janë bashkangjitur tekstit të kësaj letre)”.

Në fund Emini shkruan se “nga gjithçka që u tha deri më tani, është e qartë se gjendja në Serbi nuk është aspak e kënaqshme, të paktën kur bëhet fjalë për të drejtat elementare njerëzore të pakicës shqiptare”.

“Arrestimi i motivuar politikisht dhe arbitrar i pjesëtarëve të komunitetit pakicë dhe heqja e tyre nga lista e qytetarëve të Serbisë përmes ‘pasivizimit të vendbanimit’ paraqet një formë të rëndë të shkeljes së të drejtave të njeriut, karakteristikë e vendeve me regjime qeveritare autoritare. Nëse vërtet angazhoheni për demokraci dhe dialog, siç pretendoni, atëherë është koha, i nderuar zoti President, të angazhoheni që institucionet e Serbisë më në fund të bëjnë diçka edhe për këtë çështje. Dialogu im me Serbinë ka disa vite që vazhdon pa asnjë rezultat. Nga 7,000 shqiptarë që kanë jetuar në komunën e Medvegjës, sot nuk kanë mbetur më shumë se 500 më këmbëngulës, të shpërndarë nëpër fshatrat përreth. A duhet të jenë qytetarë të dorës së dytë apo Serbia do të bëjë diçka për ta?”, thuhet në letrën e hapur të aktivistit shqiptar në Medvegjë, për presidentin serb.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy