Vendimi i fundit për falje të borxheve për kompanitë private është i gabuar, sipas vlerësimit të ish-ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor, Fatmir Matoshi.
Ai mohoi çfarëdo lloj takimi me kompanitë private në kohën sa ishte pjesë e ministrisë.
Me situatë të tillë, Matoshi tha se është përballur edhe vetë personalisht, veçse jo me kompanitë private.
Ai gjatë intervistës për Ekonomia Online, tha se atë kohë sa ka qenë ministër i këtij dikasteri, kishin arritur marrëveshje me kompanitë publike që furnizojnë qytetarët me ujë të pijshëm që ta paguajnë borxhin e tyre prej 1.5 milionë euro me pesë këste.
Matoshi konsideron se vendimi i fundit për falje të borxheve për kompanitë private nuk është dashur të merrej, e as vendimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili më pastaj u cilësua si anti-ligjor.
“Siç është thënë edhe më herët, çështja e borxheve të ambalazhuesve të ujit është një problem që është trashëguar një kohë të gjatë por që realisht këto borxhe nuk është dashur dhe nuk është guxuar në asnjë mënyrë që të tentohen të falen. Ju e dini në qeverisjen tonë (Haradinaj), ka pasur një vendim për këtë çështje dhe ai vendim është shpallur i kundërligjshëm, pastaj ne e kemi marrë një vendim tjetër që parashihte krijimin e lehtësirave për borxhlinjtë e taksës ujore”.
“Unë jam përballë me një situatë sikur kjo me kompanitë publike që furnizojnë qytetarët me ujë të pijshëm dhe ne kemi pas arritur një marrëveshje që kompanitë publike ta paguajnë borxhin e tyre prej 1.5 milionë euro me pesë këste, duke filluar me këstin e parë para se të pajisen me leje ujore e për të vazhduar pastaj vit pas viti edhe me nga 20 për qind të borxhit që e kanë pasur kompanitë publike e jo ato private”.
Ish-ministri i MMPH-së ka thënë se nuk ka dashur asnjëherë që t’i takojë kompanitë private, pasi “leja ujore është proces administrativ”, përcjell Klankosova.tv.
“Kompanitë private nuk i kam takuar ndonjëherë dhe nuk kam dashur që t’i takoj për këtë çështje. Leja ujore është proces administrativ, megjithatë e gjitha që kam kërkuar gjatë gjithë kohës sime sa kam qenë në Ministri ka qenë që të përfillen në plotëni të gjitha kushtet dhe kriteret që duhet plotësuar për secilin ambalazhues të ujit ose për secilin aplikues tjetër për leje ujore. Prandaj, unë them se jam përballë me këso telashe, sepse ka mjaftuar që administrata të mos ketë ndërhyrje politike nga ana e kabinetit në mënyrë që ata vazhdojnë punën e tyre të papenguar dhe në përshtatje të plotë me ligjet në fuqi”, u shpreh Matoshi.
Ndonëse ka thënë se nuk ka pasur asnjë kërkesë nga ambalazhuesit e ujit për t’u takuar, Matoshi ka thënë se takimi me ta do të shihej e gabuar, pasi procesin e dhënies së lejes nuk e kryen ministri.
“Kërkesa për t’u takuar për leje ujore është e drejtuar në adresë të gabuar në momentin që drejtohet te ministri sepse është proces administrativ, plotësohen kushtet e kriteret e parapara dhe pastaj aplikuesit pajisen me leje ujore. Nuk është çështje dhe në asnjë mënyrë stafi politik me pas përzierje. Ajo që e them me plotë përgjegjësi është që nuk ka një zyrtar brenda Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i cili mund të thotë se ne kemi bërë çfarë do presioni apo kërkese për të pajisur dikë me leje ujore”, u shpreh Matoshi.
Për fund, Matoshi ka treguar edhe për borxhin që kanë pasur këto kompani në kohën sa ka qenë ministër.
“63 milionë euro ka qenë borxhi në kohën kur është marrë vendimi i parë për falje të tyre nga ish-kryeministri Haradinaj, pastaj që u vlerësua si i jashtëligjshëm dhe që ish-kryeministri Haradinaj e anuloi atë vendim”, ka deklaruar Matoshi.