Marrëveshja për emigrantët, Tajani: Keni kujdes, Shqipëria nuk është vend si Ruanda

by Nexhat

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, ka mbrojtur marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët, edhe pas vendimit të Gjykatës në Romë, teksa deklaroi se ky modeli për strehimin e emigrantëve po ndiqet me shumë interes dhe nga palë të tjera, përfshi këtu dhe Presidenten e KE-së, Ursula Von der Leyen.

Duke e konsideruar Shqipërinë vend mik, Tajani tërheq vëmendjen e opinionit ndërkombëtar duke deklaruar, “Kini kujdes: Shqipëria nuk është Ruanda, Shqipëria është një vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian që ka zgjedhur të ndajë problemet tona”.

Përsa i përket  vendimit të magjistratës së seksionit të emigracionit në gjykatën e Romës në Itali, Taja theksoi se drejtësisë i takon të zbatojë ligjin dhe nuk mund ta ndryshojë atë.

“Demokracia bazohet në ndarjen trepalëshe të pushteteve: legjislativ, gjyqësor dhe ekzekutiv. Montesquieu na e mësoi këtë. Kjo është arsyeja pse i thashë dikujt në të majtë se do të bënte mirë të rilexonte Montesquieu. Nëse një nga këto fuqi kalon kufirin e tij, ka një problem. Është problem institucional, nuk është problem i djathtë apo i majtë. Drejtësia duhet të zbatojë ligjin, nuk mund ta ndryshojë. Ai nuk mund të vendosë nëse një ligj është i drejtë apo jo. Janë ligje të miratuara nga Parlamenti. Më lejoni të filloj duke thënë se nuk jam kundër gjyqtarëve. Por reforma në drejtësi nevojitet urgjentisht. Ne duam që të ketë një ndarje të karrierës sepse sistemi duhet të gjejë një ekuilibër më të madh. Domethënë, pushteti i tepërt në duart e njërës palë, në këtë rast të gjyqësorit, çekuilibron gjithçka dhe prish këtë ekuilibër që është garanci e demokracisë. Gjëja që e rëndon problemin është se në historinë tonë republikane ka pasur një politizim të tepruar të gjyqësorit. Kur gjyqësori lejohet të ketë një rrymë të lidhur me një parti politike, si mund të flasim për pavarësinë e gjyqësorit?”, tha ai.

Sipas ministrit Tajani, edhe Franca po shikon me vëmendje gjithnjë e më të madhe, përmes qeverisë së saj, një linjë të vendosur për të luftuar imigracionin e parregullt.

“Ne kemi parë një Francë që është shumë e hapur për diskutim dhe bashkëpunim me Italinë, shumë e vëmendshme ndaj nevojës për të trajtuar edhe çështjet e migracionit”.

Ndërkohë, qeveria italiane, sipas mediave të vendit fqinj, është përfshirë në hartimin e një dekreti ligjor, i cili synon modifikimin e listës së vendeve të sigurta, listë që, siç është aktualisht, e bën praktikisht të pazbatueshme marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët. Këshilli i Ministrave të Italisë pritet të mblidhet të hënën (21 tetor) në orën 18:00 për këtë qëllim.

Dymbëdhjetë emigrantët e parë që u vendosën në Gjadër, u rikthyen në Itali pasi Gjykata e Romës e hodhi poshtë vendimin për ndalimin e tyre, duke argumentuar se nuk mund të kthehen në vendet e origjinës, në Bangladesh apo Egjipt, duke i konsideruar ato si vende jo të sigurta./RTSH

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy