Ukraina paralajmëroi për një rrezik “të madh” përshkallëzimi pasi qindra trupa elitare të Koresë së Veriut u parashikuan të hynin në fushën e betejës brenda disa ditësh në mbështetje të Rusisë.
Rreth 10,000 ushtarë të Phenianit po përgatiten t’i bashkohen ushtrisë së Moskës, sipas Volodymyr Zelenskyt, presidentit ukrainas dhe inteligjencës së Koresë së Jugut
Videoja e publikuar së fundmi tregon trupat e Koresë së Veriut në bazat ruse në lindjen e largët të vendit, duke u furnizuar me pajisje ushtarake.
Rreth 1,500 forca speciale u transferuan në qytetin port të Vladivostok, me dislokime të mëtejshme që priten në të ardhmen e afërt, sipas NIS, shërbimi i inteligjencës i Seulit.
Ndërkohë, Kyrlo Budanov, shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, tha se rreth 2,600 ushtarë do të dërgohen për të luftuar në Kursk deri më 1 nëntor
Bëhet e ditur se Forcat e Operacioneve Speciale të Koresë së Veriut (SOF) janë një nga njësitë më sekrete të këtij lloji në botë dhe shumë të trajnuar, por pa pajisje të avancuara ushtarake.
Personeli që thuhet se është dërguar në Vladivostok supozohet se është marrë nga radhët prej 200,000 trupash të SOF, i cili përdoret kryesisht për të hetuar dhe testuar mbrojtjen e Koresë së Jugut.
Sipas NIS, trupave u janë dhuruar uniforma ushtarake ruse, armë dhe ID false, dhe pritet të dislokohen në Ukrainë pasi të kenë përfunduar trajnimin.
“Kjo duket të jetë një përpjekje për të maskuar faktin se ata janë trupa të Koresë së Veriut duke i bërë ata të duken si ushtarë rusë”, tha NIS
Edhe Andriy Sybiga, Ministri i Jashtëm ukrainas, tha se ushtarët e Koresë së Veriut që luftojnë për Rusinë bartin një “kërcënim të madh të përshkallëzimit të mëtejshëm”.
Megjithëse janë shumë besnikë ndaj Phenianit, është e paqartë se çfarë roli do të përmbushin forcat speciale jo-rusishtfolëse në frontin lindor të Ukrainës, shkruan yahoonews,
I themeluar rreth vitit 1968, SOF është ndoshta më i njohur për një përpjekje katastrofike për të bastisur “Shtëpinë e Kaltër”, rezidencën presidenciale të Koresë së Jugut, atë vit, e cila përfundoi me vdekjen e 29 nga 31 operativëve të përfshirë